Shpërthim në Rripin e Gazës, raportohet për 5 të vrarë dhe 19 të plagosur

schedule09:29 - 14 Shtator, 2023

schedule 09:29 - 14 Shtator, 2023

Pesë palestinezë u vranë dhe 19 të tjerë u plagosën në një shpërthim që ndodhi sot gjatë një demonstrate pranë murit të Gazës, tha ministria e shëndetësisë e kontrolluar nga Hamasi.

Një video nga një dron, në të cilën është regjistruar momenti i shpërthimit, është publikuar nga ushtria izraelite.

“Gjatë orëve të fundit, qindra protestues morën pjesë në një demonstratë pranë murit të sigurisë në pjesën veriore të Rripit të Gazës”, tha ushtria izraelite në një deklaratë.

Sipas saj, palestinezët hodhën një eksploziv të improvizuar pranë murit, i cili shpërtheu para kohe, duke vrarë disa prej tyre. Demonstrata u mbajt me rastin e 18-vjetorit të tërheqjes së ushtrisë izraelite nga Rripi i Gazës dhe 30-vjetorit të Marrëveshjes së Oslos.

Rreth 2.3 milionë palestinezë ndodhen në Rripin e Gazës, një enklavë e vogël bregdetare e rrënuar nga varfëria dhe papunësia. Izraeli vendosi një bllokadë të rreptë të Gazës pasi Hamasi mori pushtetin në vitin 2007.

Që nga fillimi i vitit, të paktën 232 palestinezë, 32 izraelitë, një grua ukrainase dhe një italian janë vrarë në incidente të dhunshme të lidhura me konfliktin izraelito-palestinez.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!