Kina po shfaq frikë nga infektimet e importuara nga jashtë. Ndërsa pjesa tjetër e botës po përballet me valën e dytë të koronavirusit, Kina ka nisur të bllokojë kufijtë e saj territorialë për të mbrojtur nivelin e normalitetit që ka arritur, raporton The Guardian.
Ditën e mërkurë dhe ditën e enjte ambasadat kineze në disa dhjetëra vende kanë njoftuar bllokimin e hyrjeve për në Kinë për të gjithë qytetarët e huaj, përfshirë ata që zotërojnë vizë ose leje qëndrimi.
Disa nga vendet që u është bllokuar hyrja në Kinë janë: Rusia, India, Filipinet, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Belgjika dhe Italia.
“Kjo është një masë e përkohshme e marrë nga Kina në përgjigje të pandemisë aktuale,” tha ambasada kineze në Mbretërinë e Bashkuar.
Pasi i mbajti të mbyllura për një kohë të gjatë, në Shtator Kina i rihapi gradualisht kufijtë për punëtorët, të cilët zotëronin viza të rregullta ose leje qëndrimi të vlefshme.
Për t’u nisur drejt Kinës, nevojitej paraqitja e një çertifikate me rezultatin negativ pas testit për Covid, dhe me të mbërritur në Kinë duhej zbatuar në mënyrë të detyrueshme karantimi prej 14 ditësh në hotele të caktuara nga autoritetet vendase.
Megjithatë, rritja e fortë e kurbës së infektimeve në botë e ka bindur Pekinin, ku brenda tij pothuajse e ka zeruar qarkullimin e virusit, që të kufizojë sërish në mënyrë drastike flukset e hyrjes së njerëzve nga jashtë. /abcnews.al