Shpërndante lëndë narkotike, arrestohet 47-vjeçari

schedule10:52 - 2 Nëntor, 2020

schedule 10:52 - 2 Nëntor, 2020

Policia e Tiranës ka sekuestruar dhjetra doza me lëndë narkotike kokainë, e një sasi me kanabis në operacionin e koduar “Stacioni i fundit”.

Në pranga u vu poseduesi dhe shpërndarësi i lëndës narkotike, shtetasi A. H., 47 vjeç, banues në Tiranë.

Nga ana e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve janë siguruar informacione në rrugë operative se në banesën e tij në rrugën “Aleksandër Moisiu” posedonte lëndë narkotike kokainë dhe kanabis.

Mbi bazën e këtyre informacioneve, nga ana e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve është ushtruar kontroll fizik ndaj tij dhe në banesë, ku Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale rreth 58 gramë lëndë narkotike kokainë, një pjesë e së cilës ishte ndarë në doza gati për shitje, një sasi me lëndë të dyshuar kanabis, shuma të ndryshme parash, 2 peshore dhe 4 aparate celular.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.

n.d./abcnews.al