Policia e Tiranës ka prangosur tre persona që shpërndanin drogë të fortë e llojit heroinë në gjimnazet e kryeqytetit. Mes të arrestuave është edhe një vajzë 26 vjeç, G. H., e cila u kap teksa shpërndante heroinë në një shkollë të mesme në “Rrugën e Dibrës”. Në total u sekuestruan 44 doza heroine dhe 3 celularë. Policia ka prangosur edhe Enri Manajn dhe Marjus Filipin të dy banues në Tiranë dhe të dënuar më parë për vjedhje. Sipas hetimeve, Enri Manaj dhe G. H., ishin prej disa kohësh në monitorim, pasi ndaj tyre kishte dyshime që merreshin me shitje heroine kryesisht tek adoleshentet dhe pranë lokaleve me muzikë live në kryeqytet.
Njoftimi i Policisë
Specialistët për hetimin e narkotikëve pranë D.V.P. Tiranë në kuadër të një operacioni policor arrestuan në kushtet e flagrancës shtetasit :
– Enri Manaj, 35 vjeç, banues në Tiranë ( i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhje”)
– Marjus Filipi, 34 vjeç, banues në Tiranë ( i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhje )
– G. H., 26 vjeçe, banuese në Tiranë
Në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative se shtetasit e mësipërm në bashkëpunim me njëri – tjetrin kryenin aktivitetin e kundraligjshëm të shitjes së lëndëve narkotike në shkollat e mesme të kryeqytetit, nga seksioni i narkotikëve u organizua puna për kapjen e tyre në flagrancë. Shtetasit Enri Manaj dhe G. H. janë konstatuar nga shërbimet e policisë para hyrjes të një shkolle të mesme në rrugën e “Dibrës” dhe gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj shtetases G. H. i janë gjetur 5 doza të dyshuara me lëndë narkotike të llojit heroinë e ndarë në porcione gati për t’u shitur.
Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Enri Manaj (në të cilën ndodhej shtetasi Marjus Filipi dhe shtetasia e huaj filipinase C. M.), u gjetën dhe u sekuestruan 39 doza lënde narkotike e dyshuar Heroinë).
Janë sekuestruar në total në cilësinë e provës materiale :
– 44 doza lënde narkotike e dyshuar e llojit Heroinë
– 3 aparate celularë
Gjithashtu në bashkëpunim me Drejtorinë e Kufirit dhe Migracionit, po kryhen veprimet përkatëse për dëbimin e shtetases filipinase, pasi u konstatua se po qëndronte pa leje qëndrimi në teritorrin e Republikës të Shqipërisë.
Materialet proceduriale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për veprime të mëtejshme hetimore për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike në bashkëpunim” të parashikuara nga neni 283/2 i Kodit Penal në ngarkim të shtetasve Enri Manaj, Marjus Filipi dhe G.H. /abcnews.al