Shpejtësi skëterrë në Tiranë-Durrës, u hiqen patentat 9 shoferëve

schedule17:11 - 19 Gusht, 2018

schedule 17:11 - 19 Gusht, 2018

Thirrjet e përsëritura të Policisë Rrugore për kujdes gjatë drejtimit të automjeteve  vazhdojnë të injorohen nga disa shoferë. Nëntë drejtues mjetesh humbën patentat e tyre të shtunën, pasi radarët i kapën duke ecur me shpejtësi 150-170 km/h në aksin Tiranë-Durrës.

Një prej tyre është ky drejtues mjeti, i ndaluar nga një patrullë e rrugorëve mbrëmjen e së shtunës në aksin Tiranë-Durrës.

Radari kishte fiksuar lëvizjen e tij me shpejtësi 170 km/h, në një kohë që në këtë segment rrugor kufiri maksimal është 90 km/h.

Kjo shkelje i ka kushtuar heqjen e patentës shoferit 24 vjeçar.

“Drejtuesi i mjetit kësaj here, ishte me fat pasi shpëtimtari ishte polici dhe radari e drejtuesi i mjetit shkoi shëndoshë në banesë, por pa patentë”, thuhej në postimin e Policisë së Shtetit në facebook.

Sipas policisë, nëntë drejtues mjetesh kanë humbur patentat, për shkak të drejtimit në këtë aks në shpejtësi që varionin nga 150-170 km/orë.

Sipas të dhënave të shërbimit të Policisë Kufitare dhe Emigracionit në 15 ditët e para të muajit Gusht 2018, në pikat e kalimit kufitar në territorin e Shqipërisë janë futur rreth 100 mijë mjete.

Për këtë shkak në Policia Rrugore ka ndërmarrë një fushatë sensibilizuese duke u kërkuar drejtuesve të mjeteve të ngasin me përgjegjshmëri.  /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!