I bindur se për të kontrolluar territorin nuk mjaftojnë vetëm dronët dhe satelitët, kryeministri Edi Rama foli për mundësinë e një sistemi informacioni, që përmes inteligjencës artificiale, jep të dhëna në kohe reale për ndërtimet pa leje, pa patur nevojë që inspektori të shkojë fizikisht në terren.
“Ne kemi dronët, që i kemi marrë për të kontrolluar vendin tonë, ne kemi satelitët, ajo që na mungon është një sistem informacioni që të përpunohet në kohë reale, nuk ka nevojë për inspektor ne territor, me atë sistem mund te marrim në kohë reale të dhënat dhe me IA të sjell 1,2,3,4 dhe kjo mund të bëhet”, është shprehur Rama.
Sipas Ramës, kjo do të lehtësonte jo vetëm qytetarët por edhe bizneset.
“Është e pakuptimtë të kemi histori çadrash, parkimesh, kur mund të kemi sisteme, dhe mund t’i kemi shpejt. Lehtësojmë punën e atyre që thonë, ore sa karrige të nxjerrin jashtë. Ose ku mund të parkoj. Ke vend këtu, nëse nuk ke, ik në vend tjetër”, ka thënë kryeministri.
E për të treguar ndikimin që teknologjia do të ketë në të ardhmen, kryeministri tha se mund të vijë një ditë kur edhe vetë qeveria, apo ministrat do të zëvendësohen nga inteligjenca artificiale.
“Shumë shpejt mund të vijë dita që qeverinë mund ta kesh IA, ministrin mund ta kesh IA, s’ka as kushërinj për të futur në punë. Nuk mund të them që ky është synimi ynë por është e pafundme kjo botë”, shtoi ai.
Gjatë bashkëbisedimit me përfaqësues të teknologjisë, inovacionit dhe start up-eve, Rama foli edhe për forcimi i kapaciteteve mbrojtëse ndaj sulmeve kibernetike. Kreu i qeverisë shprehu shqetësimin për masat e ndërmarra nga sektori privat.
“Nesër mund të sulmojnë një bankë, një spital privat, një strukturë private të shpërndarjes së ushqimeve dhe mund të bëjnë problem shumë të madh. Jemi duke menduar si të ndërtojmë një sistem ku nga një anë ti vendosim një detyrim të gjitha institucioneve në nivelin vendor, apo në sektorin privat që të kenë një përqindje investimi në teknologji. Me sektorin privat të shohim mundësinë që investimi në teknologji të jetë i zbritshëm nga taksat”, nënvizoi Rama.
Në përfundim të tryezës, Rama zbuloi se do të nënshkruhet një marrëveshje mes qeverisë dhe përfaqësuesve të teknologjisë, për të ndërtuar modele të inteligjencës artificiale. Ndërsa do të punohet edhe për ndërtimin e muzet të parë tërësisht me AI.
“Do të angazhohem personalisht edhe me strukturat përkatëse për të parë nëse mund të ndërtojmë në Shqipëri me këtë teknologji të re, të propozuar nga start up, muzeun e parë tërësisht me AI”, tha më tej ai.
E teksa në shtator do të riformatojë skuadrën “Rama 4”, kryeministri duket se na zbuloi shtimin e një ministrie të re, atë të inteligjencës artificiale.
“Ministrin e Shtetit për Inteligjencën Artificiale do ta zgjedhim me pjesëmarrjen tuaj. Nëse arrini të krijoni një model të inteligjencës artificiale që të zgjedhë ministrin, do të jetë hapi i parë drejt momentit historik kur Shqipëria do të ketë qeverinë e parë me ministra dhe me Kryeministër me inteligjencë artificiale”, nënvizoi ndër të tjera Rama.
/abcnews.al/

