Shpallet në kërkim ndërkombëtar ish-polici i Rinasit, Mariglen Hoxha

schedule15:11 - 4 Maj, 2019

schedule 15:11 - 4 Maj, 2019

Policia e Shtetit ka shpallur në kërkim ndërkombëtar ish-efektivin e Rinasit, Mariglen Hoxha, i cili dyshohet si përfshirë në grabitjen e 6 milion eurove në Rinas. Sipas grupit hetimor, Hoxha ka ndihmuar me informacione për mbërritjen e autoblindave me para vëllezërve, Klement e Eldi Çala si edhe personin që mbeti i vrarë, Admir Murataj. 

Shpallet në kërkim ndërkombëtar ish-efektivi i policisë Mariglen Hoxha që dyshohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda se u përfshi në grabitjen spektakolare të 9 prillit në aeroportin e Rinasit.

Prej tri vitesh Hoxha, kishte shërbyer në Komisariatin e Policisë së Rinasit, ndërsa ishte larguar nga detyra me dëshirën e tij në muajin mars të këtij viti pasi nuk pranoi të transferohej në një tjetër rreth.

Prokuroria e Krimeve të Rënda, dyshon se ish-polici ka pasur rol kyç në grabitjen e 6 milion eurove brenda pistës së aeroportit të Rinasit. Nga hetimet ka rezultuar se Hoxha ka ndihmuar organizatorët e grabitjes me informacione të detajuar si edhe për oraret e mbërritjes së autoblindave të bankave të nivelit të dytë me para drejt aeroportit. 

Përveç ish-efektivit Hoxha, janë shpallur në kërkim me urdhër të organit të akuzës edhe 4 persona të tjerë.

Grupi hetimor dyshon se personat organizator për grabitjen e Rinasit janë vëllezërit Klement dhe Eldi Çala si edhe Admir Murataj. 46-vjeçari mbeti i vrarë rreth një kilometër larg Rinasit gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë.

Edhe pse janë ushtruar kontrolle të njëpasnjëshme nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe ata të RENEA-s konkretisht  në tre qarqe, Tiranë, Durrës dhe Elbasan, përsëri policia nuk ka rënë ende në gjurmët e parave të grabitura mesditën e së martës të 9 prillit në Rinas.

E vetmja provë e fortë që ka Prokuroria e Krimeve të Rënda është dëshmia e të arrestuarit Alkond Bengasi, i cili ka pranuar se ka modifikuar në servisin në pronësi të Eldi Çelës në periferi të Elbasanit, furgonin me mbishkrimin “Hetimi Tatimor”.

Ndërkohë, Prokuroria e Krimeve të Rënda po kryen verifikime edhe për 20 zyrtarë të Autoritetit të Aviacionit Civil dhe TIA-s, lidhur me grabitjen e Rinasit. Burime nga grupi hetimor i kësaj çështjeje thonë se përveç ICTS, edhe zyrtarë të këtyre dy institucioneve mund të kenë kryer shpërdorim detyre./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!