Shpallet në kërkim autori i vrasjes së Polias

schedule13:52 - 25 Mars, 2019

schedule 13:52 - 25 Mars, 2019

Pesë ditë pas ekzekutimit mafioz të Ferdinand Polia, policia në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës ka identifikuar autorin e krimit dhe bashkëpunëtoret e tij. Falë kamerave të sigurisë pranë zonës ku ndodhi vrasja është zbuluar rruga e ndjekur nga atentatori dhe mjeti që është përdorur për t’u larguar pas ekzekutimit të 32-vjeçarit. Dyshohet se autori i dyshuar i vrasjes është larguar nga Shqipëria.

 

Kamerat e sigurisë tek ura e Mesit dhe bizneseve të zonës së Hotit të Ri kanë identifikuar mjetin me të cilin ka lëvizur autori dhe bashkëpunëtorët e atentatit ndaj Ferdinand Polia. Ekzekutimi mafioz ndodhi 5 ditë më parë në fshatin Grudë e Re në Shkodër. Policia ka shpallur në kërkim autorin e krimit, i cili është një 27-vjeçar me inicialet K.S.

Atentatori pasi ka vrarë 32-vjeçarin që njihej si Nardi i Bujtinave është larguar me motoçikletë në drejtim të zonës së Postribës. Nga kamerat është filmuar rruga që ka përshkruar, momentin kur autori djeg motorin dhe largohet me një mjet, i ndihmuar nga bashkëpunëtorët e tij.

Mësohet nga burime të ABC News se personi i dyshuar për vrasjen mendohet se është larguar nga Shqipëria sapo ka kryer krimin. Ndërsa personat e arrestuar janë Gilbert Toma, 26 vjeç, Kleandro Toma, 29 vjeç dhe Alfred Martini, 20 vjeç, të tre me banim në Shkodër.

Pas hetimeve të kryera nën drejtimin e Prokurorisë Shkodër rezulton  se të ndaluarit kanë mbështetur me logjistikë dhe armatim, ndjekur, strehuar, organizuar dhe kryer në bashkëpunim këtë vrasje.

Policia ka sekuestruar automjetin e përdorur nga autorët për ndjekjen e viktimës, dhe largimin bashkë me atentatorin. Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar 7 telefona, 17 fishekë të kalibrave të ndryshëm, targa të ndryshme automjetesh shqiptare dhe të huaja dhe dokumente të ndryshme. Ndërsa po punohet për zbardhjen e motivit që ka sjellë më pas ekzekutimin e 32-vjeçarit Ferdinand Polia./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!