Shpallet lista e kandidatëve për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese

schedule11:28 - 28 Gusht, 2018

schedule 11:28 - 28 Gusht, 2018

Kuvendi shpall listën e 7 kandidatëve të cilët kanë aplikuar për gjyqtar për Gjykatën Kushtetuese
Sipas një njoftimi për shtyp të bërë publik paraditen e sotme mësohet se kanë aplikuar në garën për kushtetuese juristët: Elsa Toska, Theodhori Sollaku, Fiona Papajorgji, Ilir Panda, Sinan Tafaj, Valbona Bala dhe Vasil Bendo.

Bien në sy në këtë listë, emrat e ish-kryeprokurorit Sollaku dhe ish-anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë Panda, të cilët kanë  aplikuar edhe në Shkurt në aplikimet e hapura nga presidenca për vendet vakante në këtë gjykatë.

Thirrjes së presidencës në Shkurt të këtij viti iu përgjigjën 22 kandidatë, një pjesë e të cilëve figurojnë edhe në listën e sotme të aplikimeve të thirrura nga Kuvendi. Aktualisht Gjykata Kushtetuese është krejtësisht e bllokuar pasi në detyrë ka mbetur vetëm kreu i kësaj gjykate Bashkim Dedja, i cili e kaloi procesin e Vettingut si dhe anëtarja me mandat të mbaruar Vitore Tusha, e cila gjithashtu e kaloi me sukses procesin e rivlerësimit.

Sipas ligjit, Gjykata Kushtetuese përbëhet nga nëntë anëtarë, prej të cilëve tre anëtarë emërohen nga Presidenti i Republikës, tre anëtarë zgjidhen nga Kuvendi i Shqipërisë dhe tre anëtarë zgjidhen nga Gjykata e Lartë. Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese emërohen për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi. Përbërja e Gjykatës Kushtetuese përtërihet çdo 3 vjet, me një të tretën e saj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!