Shpallen në kërkim ndërkombëtar Alfred dhe Elvis Vladi

schedule15:43 - 27 Qershor, 2018

schedule 15:43 - 27 Qershor, 2018

Pas 3 ditësh kërkime brenda vendit, Policia e Shtetit ka shpallur në kërkim ndërkombëtar dy kushërinjtë Alfred dhe Elvis Vladi. Ata kishin kontraktuar një firmë private për të transportuar 9 automjete nga Belgjika, në dy nga të cilat ishin fshehur 3.4 milionë eurot e sekuestruara në Portin e Durrësit.

Policia shqiptare ka shpallur në kërkim ndërkombëtar dy kushërinjtë, Alfred dhe Elvis Vladi, të cilët dyshohen se janë personat që kishin organizuar trafikun e 3.4 milionë eurove nga Belgjika për në vendin tonë. Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur për ABC News se iu është kërkuar bashkëpunim edhe homologëve të tyre belgë, gjermanë dhe atyre italian për të rënë në gjurmë të dy kushërinjve Vladi. Sipas  burimeve, nuk përjashtohet mundësia të ketë edhe persona të tjerë të përfshirë në krafikun e parave të pista.

Një nga pistat që po hetojnë tre policitë është se, paratë janë të një grupi të strukturuar kriminal me aktivitet në Belgjikë, e cila ka lidhje të forta në Itali dhe Shqipëri. Ndërkohë nuk është mësuar ende vendi në shtetin belg, ku u imbarkuan 9 automjetet që do vinin në Shqipëri. Dyshimet e uniformave blu janë se pikërisht në pikën e koncesionarit ku janë blerë automjetet, mund të jenë fshehur edhe paratë në dy automjete tip Toyota.

Alban Mollaymeri kishte kontraktuar për trasportin e makinave kompaninë e Edi Likës, e cila gëzonte të drejtën e transportit ndërkombëtar të mjeteve për të tretë me qira. Por 40-vjeçari Mollaymeri deklaroi gjatë hetimeve se atij i ishte kërkuar ky shërbim nga Alfred Vladi, duke mohuar të kishte dijeni për 3.4 milionë euro që u gjetën në makinë.

Drejtoria e Pastrimit të Parave në Policinë e Shtetit në bazë të ligjit anti-mafia do të verifikojë në të gjitha bankat e nivelit të dytë, por edhe në drejtorinë e Hipotekës, llogaritë dhe pronat e paluajtshme te Alfred dhe Elvis Vladi si edhe familjarëve të tyre. Më pas do të hetohet nëse ato janë krijuar me burime të justifikuara të ardhurash apo me para nga aktivitete kriminale./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!