Një monument futbolli. Ky ishte titulli i të përditshmes madrilene, “Marka”, dhe vetëm kështu mund të përshkruhej ajo që ndodhi në stadiumin “Montzhuik” të Barcelonës.
Në kryeqendrën e Katalonjës, Barça dhe Atletiko e Madridit luajtën një gjysmëfinale të Kupës së Spanjës që do të mbetet në histori, dhe që përfundoi 4-4.
Jo vetëm rezultati, por edhe mënyra sesi shkoi, dhanë emocione tepër të forta, siç thuhet “për infarkt”.
Atletiko e nisi shkëlqyeshëm me avantazhin 2-0 që në minutën e gjashtë falë golave nga Alvarez e Grizman.
Reagimi “blaugrana” pritej, dhe jo më kot trajneri mik, Simeone, e vlerëson Barçën si ekipin më të mirë në Spanjë.
Pedri, mbrojtësi Kubarsi dhe Injigo Martinez përmbysën në 3-2 që në pjesën e parë.
Levandovski duket se I vuri vulën sfidës në 74’ me golin e katërt, por nuk kishte përfunduar.
Markos Jorente në 84’ dhe norvegjezi Sorlot në minutën e tretë shtesë fiksuan barazimin 4-4.
Në total, katalanasit bënë më shumë, por madrilenët nuk vodhën asgjë.
Trajneri i Atletikos, Diego Pablo Simeone, ishte shumë I emocionuar.
“Ekipi tregoi në momente të ndryshme të ndeshjes një siguri dhe mentalitet të fortë. Ne punuam shumë. Ne treguam një frymë të jashtëzakonshme për të konkurruar. Arritëm të reagonim ndaj një ekipi si Barcelona që luan shumë mirë futboll dhe që arriti deri në 4-2. Zëvendësimet na ndihmuan për t’ia dalë në fund. Duhet të them se djemtë treguan një mentalitet që më emocionoi shumë”
“Monument futbolli”, – titullon “Marka” nga Madridi, që nuk mund të mos zgjidhte golin e barazimit 4-4 të Atletikos!
“Një Atleti me 7 shpirtra”, – është edhe titulli I të përditshmes tjetër të kryeqyrtetit “AS”: Ndeshja e vitit garanton një sfidë të kthimit emocionuese!
“Drithëruese, – vlerëson “El Mundo Deportivo” nga Katalonja, – stadiumi “Metropolitano” do të vendosë kualifikimin, pas një ndeshjeje të çmendur!”
“Çfarë çmendurie, – thërret katalonasja “Sport”, – gjithçka është e hapur për ndeshjen e kthimit!”
Dueli përcaktues do të luhet në “Uanda Metropolitano” të Madridit në 2 prill./abcnews.al