Shoqja e ngushtë u nda nga jeta tragjikisht, Adel Lami e përlotur: Sot kërcej për të dyja

schedule22:19 - 24 Shkurt, 2021

schedule 22:19 - 24 Shkurt, 2021

Ka qenë një mbrëmje emocionuese sonte në “E ardhmja është vajzë”, teksa në programin e së mërkurës ishin përballë njëra-tjetrës Adel Lami dhe psikologia Enertila Bekteshi. Ndër të tjera, vajzat rrëfyen për moderatoren dhe autoren Ermira Çausholli një histori të vështirë që kanë kaluar në jetën e tyre, tashmë traditë në rubrikën “Në mundsh”.

Adel zgjodhi që në këtë pjesë të tregonte një histori që nuk e ndan shpesh, pothuajse asnjëherë me të tjerët, dhe nga e cila nuk ka arritur të “shërohet” dot, pavarësisht se vitet kalojnë. Balerina e njohur rrëfeu për kohën kur ishte ende në universitet, në prag të debutimit në “Dancing With the Stars” kur kishte marrë vesh që shoqja e saj e ngushtë ishte shtruar në spital.

Ndërsa Adel kishte shkuar për të kuptuar se ç’kishte ndodhur, motra e mikeshës së saj e kishte njoftuar se ajo kishte ndërruar jetë. Mes lotësh balerina tregoi se vdekja e shoqes së saj i ka shkaktuar shumë dhimbje pasi ajo kreu vetëvrasje dhe kjo ka lënë gjurmë në jetën e saj.

“Për vite me radhë pas kësaj, kam studiuar dhe kam lexuar se si mund të evitohet një gjë e tillë. Ndihesha pafund fajtore, jo vetëm për mua qe kisha dështuar si shoqe, por për të gjithë që na rrethonin. Nisa të kisha një mllef me botën dhe si nuk e kuptuam këtë. Ajo ishte e mërzitur sepse shoqet e saj kishin nisur punë në televizione të ndryshme, ndërsa ajo nuk po mundej. Ne kishim sakrifikuar shumë dhe ajo donte që puna e saj të shpërblehej, ishte e shqetësuar sepse donte të kërcente, të ngjitej në skenë.

Unë përpiqesha t’i thoja të mos shqetësohej, megjithatë nuk e mendoja kurrë që do të shkonte deri aty. Mendoja që kur do mbaroja angazhimet do ta merrja më shpesh, do ta ndihmoja, por nuk e dija që nuk kisha më kohë. Ka qenë një ditë e vështirë, pasi në mëngjes unë humba mikeshën time më të mirë, ndërsa në darkë duhet të kërceja dhe të qeshja për publikun në televizion.” tha Adel ndër të tjera.

Balerina u shpreh se sot e kësaj dite, kur kërcen, kërcen për të dyja dhe familjen e saj e ka si familjen e vet. Këtë histori Lami e shfrytëzoi gjithashtu për të dhënë një mesazh të rëndësishëm për të gjithë, sidomos në kohërat që jetojmë, ku rrjetet sociale mund të ndikojnë shumë në mendjet e njerëzve, ndërsa tha se ata duhet ta duan veten sa më shumë të komunikojnë në mënyrë që t’i zgjidhin të gjitha vështirësitë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!