Shoqata e komunave serbe, Thaçi: Do t’i përmbahemi zotimit tonë

schedule11:42 - 4 Gusht, 2018

schedule 11:42 - 4 Gusht, 2018

E shtuna është dita kur në Kosovë, në bazë të marrëveshjes së Brukselit duhet të krijohet Shoqata e Komunave Serbe. Në një reagim, presidenti Thaçi ka deklaruar se struktura e re do të ngrihet sipas ligjeve të Kosovës. Ndërkohë, Beogradi ka akuzuar Prishtinën se po shmang detyrimet që rrjedhin nga marrëveshja.

Ditën e skadimit të afatit për krijimin e Shoqatës së Komunave Serbe, presidenti Hashim Thaçi ka deklaruar se institucionet e Kosovës mbeten të përkushtuara për përmbushjen e marrëveshjeve të arritura deri tani në dialogun me Beogradin. Në njoftimin e tij, Thaçi nënvizon se shteti kosovar do t’i përmbahet me përpikmëri zotimeve të bëra në Bruksel, me qëllim ruajtjen e qetësisë dhe shmangien e cënimit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

“Pas krijimit të Ekipit Menaxhues, institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që të finalizojnë punën në hartimin e draft-statutit të Shoqatës së Komunave me shumicë serbe bazuar në marrëveshjet e arritura në vitet 2013 dhe 2015 në Bruksel dhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”, ka deklaruar Thaçi.

Përmes komunikatës për shtyp, kreu i shtetit ka përsëritur apelin drejtuar qytetarëve, që të përmbahen nga çdolloj provokimi dhe të ruajnë qetësinë në një periudhë shumë të rëndësishme për vendin. Ndërkohë, në Beograd është zhvilluar të shtunën mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku kanë marrë pjesë zyrtarët më të lartë të shtetit serb.

Në përfundim të takimit, shefi i zyrës për Kosovën, Marko Gjuriç ka akuzuar Prishtinën zyrtare se nuk po e zbaton zotimin për themelimin e Shoqatës, edhe pse marrëveshja në Bruksel është nënshkruar prej vitesh. Gjuriç ka deklaruar gjithësesi ser serbët do të ruajnë gjakftohtësinë dhe nuk do të ndërmarrin veprime të cilat mund t’u kushtojnë atyre pasoja.

Zyrtari i lartë serb ka aluduar se Beogradi shpreson që Shoqata e Komunave Serbe në veri të Kosovës të shpallet të dielën më 5 Gusht./abcnews.al