“ABC” zbulon detaje të reja lidhur me vrasjen e Xhuljano Bullarit pak ditë më parë në Babicë të Vlorë. Një nga pistat ku po hetohet lidhet me faktin se Bullari mund të jetë vrarë nga Bledar Selmanaj për paratë e një sasie rreth 100 kg lëndë narkotike kanabis.
Burimet tregojnë se 25-vjeçari me grupin e tij i ka blerë 39-vjeçarit sasinë e drogës me lekë false. Ndaj kishte presion të vazhdueshëm nga Bledar Selmanaj për paratë. Por autori i dyshuar nuk ka pranuar autorësinë e krimit. Sipas burimeve ai i ka thënë grupit hetimor se udhëtoi të premten pasdite me Xhuljano Bullarin nga Tirana në Vlorë por ndaloi në banesën e tij.
Fjeti atë mbrëmje aty dhe të nesërmen u kthye sërish në kryeqytet. Ndërsa nuk ka dhënë asnjë informacion se ku do të shkonte më pas Xhuljano Bullari. Ky i fundit u gjet ditën e shtunë në mëngjes i vrarë me një plumb në kokë në mjetin “Fiat” të kushërirës së tij në një zonë të Babicës së Vlorës.
Po të njëjtat burime kanë bërë të ditur se Bullari dhe Selmanaj janë njohur në vitin 2018 në burg. Xhuljano Bullari vuante dënimin për “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit” të disa sirianëve ndërsa Bledar Selamaj për grabitje./ Abcnews.al