Shkurti, muaji i protestave opozitare

schedule14:21 - 23 Janar, 2019

schedule 14:21 - 23 Janar, 2019

Shkurti do të jetë muaji i protestave opozitare në qytete të ndryshme të vendit. Kalendari i manifestimeve nis në 4 shkurt dhe kulmon me protestën e Tiranës në 16 shkurt. Po ashtu Lulzim Basha pritet të ndërmarrë edhe një tur takimesh në qytete.

Pas mbledhjes së kryesisë së Partisë Demokratike ditën e martë, ku u vendos 16 shkurti si data e protestës që do të kulmojë aksionin opozitar të ndërmarrë nga selia blu, pas deklaratës së kryedemokratit Lulzim Basha se ai dhe forca politike që drejton do të prijë protestat popullore deri në arritjen e qëllimit final, rrëzimin e kryeministrit Edi Rama, instalimin e një qeverie tranzitore dhe organizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, ABC News zbardh detaje të organizimit.

Protestat do të jenë fillimisht lokale. Duke nisur nga data 4 shkurt demokratët do të nisin demonstrata në rrethe. Deputetët e zonës, kryesia por edhe anëtarët e Këshillit Kombëtar demokrat do të ndahen në degët e partisë për të mundësuar organizimin e protestave në rrethe.

Ndërkohë sekretariatet e rifreskuar me votën e Këshillit Kombëtar vetëm një javë më parë, e më specifikisht ai organizativ i kryesuar nga Sahit Dollapi, janë ngarkuar me ndërtimin e një kalendari, i cili pritet të përfundojë brnda dy ditëve për të përcaktuar lokalitetet dhe oraret e revoltave që do të organizohen në rrethe, për të kulmuar më pas me protestën e 16 shkurtit në Tiranë.

Njëkohësisht kreu i demokratëve Lulzim Basha pritet të nisë një tur takimesh me qytetarët, për të përçuar mesazhin që nga foltorja e parlamentit e shpalli edhe mision parësor të opozitës.

“PD dhe opozita ka vetëm një mison. Ti prijë qytetarëve drejt të drejtës së tyre më legjitime përmes një kryengritje demokratike popullore për t’i dhënë fund regjimit të këtij marri psiqik që vjedh Shqipërinë. Kjo duhet të marrë fund një orë e më parë”.

Takime me qytetarët do të zhvillojë edhe Forumi rinor i Partisë Demokratike, i cili i fokusuar tek rinia, pritet të nisë edhe një tur bisedimesh me studentët për t’i ftuar në protestë. Edhe në këtë të fundit nuk do të mungojnë simbolikat, tashmë një shenjë e dallueshme e protestave të demokratëve, përmes të cilave ata përçojnë mesazhe tek qytetarët.

Tradicionalisht protestat e drejtuara nga kreu i demokratëve Basha, ruajnë profilin e tyre paqësor e demokratik, profil që pritet të karakterizojë edhe këtë sezon protestash. /abcnews.al