Nëpunësit e disa ministrive dhe institucioneve shtetërore në Maqedoninë e Veriut, përfshirë ato të Kulturës, Drejtësisë, Mjedisit, Ekonomisë dhe Punës, Transportit dhe Transformimit Digjital, si dhe Entit Shtetëror të Statistikave, protestuan më 14 janar për shkak të mosmiratimit të rritjes së shtesave në paga, një kërkesë kjo e përsëritur ndër vite.
Ata kërkuan nënshkrimin e kontratave kolektive dhe miratimin e shtesave për pagat në masën 30 për qind.
Protestuesit akuzuan Ministrinë e Financave për mosmarrje të masave të nevojshme dhe theksuan se, që nga formimi i Qeverisë së re, kanë zhvilluar takime me shumicën e ministrave përkatës dhe kanë paraqitur propozimet e nevojshme për arritjen e marrëveshjes kolektive.
“Më pas, me mbështetjen e ministrave, janë dorëzuar në Ministrinë e Financave. Edhe pse këto propozime për marrëveshje kolektive janë dorëzuar në Ministrinë e Financave, para miratimit të buxhetit shtetëror për vitin 2025, por për arsye të pakuptueshme për ne Ministria e Financave nuk i ka miratuar mjete për nënshkrimin e tyre”, deklaroi Trpe Deanoski, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Administratës.