Shkup, përplasje në mes kreut dhe ish-kreut të VMRO-DPMNE-së

schedule22:50 - 21 Shtator, 2023

schedule 22:50 - 21 Shtator, 2023

Kodi Penal dhe projekt-ligji për amnistinë kanë thelluar përplasjet midis ish-kreut të partisë opozitare maqedonase VMRO-DPMNE dhe kryetarit të saj aktual. Pas njoftimeve në shtyp se përfaqësues të partive në pushtet kishin komunikuar me ish-kryeministrin Nikolla Gruevski dhe ishin takuar me të në Budapest të Hungarisë, ku ai ndodhet i strehuar për të diskutuar mundësitë e përfitimit të tij nga ndryshimet e Kodit Penal, në shkëmbim të votave të VMRO-së për ndryshimet kushtetuese, ka reaguar kryetari i kësaj partie, Hristijan Miskovski.

Ai tha përmes një postimi në mediat sociale drejtuar zotit Gruevski: “Nëse ti dëshiron grindje , ky është vendimi yt dhe unë jam i gatshëm ta kundërshtojë sepse kjo nuk është betejë personale, por betejë për Maqedoninë”. Më pas, akuzoi pushtetin se po e zhytë vendin në kriminalitet. “Për Maqedoninë nuk guxon të ketë pazare dhe marrëveshje nën tryezë. Nuk do të lejojë marrëveshje personale në llogari të interesit kolektiv. Ky nuk është viti 2018, kjo është një kohë tjetër”, thuhet në postimin e zotit Mickovski në Facebook.

Ndërkaq, ish-kreu i VMRO-së, Nikolls Gruevski, i cili i pari e nisi përplasjen po në Facebook, tha se z. Mickovski po e provokonte, se po hynte në një konfikt publik. Ai e kritkoi udhëheqjen e tanishme të partisë se “e ka përjashtuar në tërësi” dhe se ai nuk kishte asnjë lloj kontakti apo informate për vendimet dhe aktivitetet e partisë, përveç atyre të publikuara në media.

Zënka filloi pas komenteve të kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti se zyrtarë të Lidhjes Social Demokrate dhe të Bashkimit Demokratik për Integrim (parti të koalicionit aktual qeverisës) kishin komunikuar me zotin Gruevski në lidhje me Kodin Penal. Një pjesë e ekspertëve vlerësojnë se ndryshimet e Kodit Penal u bënë për ta aministuar ish-kryeministrin e arratisur në Hungari, ndonëse zyrtarët qeveritarë thonë se këto ndryshime janë pjesë e reformave të kërkuara nga Bashkimi Evropian.

Nikolla Gruevski, i cili është dënuar me 19 vjet burg në disa procese gjyqësore, vazhdon të ketë ndikim në vend dhe respekt tek ish-partia e tij, VMRO-DPMNE. Analistët janë të mendimit se shkurtimi i dënimit me burg, apo heqja e padive kundër tij do të bëhej në shkëmbim të sigurimit të votave të ligjvënësve të VMRO-së për arritjen e dy të tretave të nevojshme për miratimin e ndryshimeve kushtetuese. Por, eksponentë të partisë opozitare, deputetë e kryetarë komunash kanë dalë në mbështetje të zotit Mickovski, duke hedhur poshtë mundësinë e mbështetjes së ndryshimit të Kushtetutës, që ata e cilësojnë se po bëhet “nën diktatin bullgar”.

Ndërkaq, Lidhja Social Demokrate, partia më e madhe në pushtet, kërkon që të mos përfshihet në zënkat e brendshme dhe ndarjet brenda VMRO-së, për të cilat “Mickovski po përpiqet ta fajësojë LSDM-në”. “Përpjekjet për krijimin e paqartësive në opininin publik dhe nevoja e dëshpëruar për të ngatërruar LSDM-në trazirat e DPMNE-së nuk do t’i ndihmojnë Mickovskit”, tha të enjten zëdhënësja e LSDM-së Bogdanka Kuzevska.

Kreu opozitar, Hristijan Mickovski, ndërkohë, tha të enjten se u beson 44 deputetëve të tij në parlament dhe se ata nuk do të ndryshojnë mendje lidhur me qëndrimin e tyre kundër ndryshimeve kushtetuese./VOA