Shkup, komuniteti LGBT mban “Paradën e Krenarisë”

schedule18:45 - 29 Qershor, 2019

schedule 18:45 - 29 Qershor, 2019

Në Shkup është mbajtur për herë të parë “Parada e Krenarisë”, një marshim ku anëtarë të komunitetit LGBT kërkuan mbrojtje dhe respektim të të drejtave të njeriut. Në të njëjtën kohë, një grup i përbërë nga klerikë dhe qytetarë protestuan kundër këtij komuniteti.

Nën masa të rrepta sigurie kaloi Parada e parë e krenarisë në Shkup. Vendi prej ku u nisën pjesëmarrësit ishte i rrethuar nga Policia, e secili që hynte në zonën e rrethuar, duhej të kalonte pikat e kontrollit. Shumica e personave që ishin të maskuar dhe nuk dëshironin tu zbulohet identiteti, flisnin shqip, e pse erdhën me maska, u përgjigj Bekim Asani, i LGBT komunitetit Tetovë.

Bekim Asani, LGBT: “Jetojmë në një shoqëri homofobike ku njerëzit kanë frikë, kryesisht njërit nga Pollogu kanë frikë dhe nëse zbulojnë identitetin e tyre hasin në probleme. Numrat janë të mëdha, por personat LGBTI nuk e raportojnë dhunën se kanë frikë mos të zbulohet identiteti i tyre .Të jesh shqiptar dhe të jesh pjesëtar i komunitetit LGBT  është diskriminim i dyfishtë në jetën e përditshme”.

Edhe ambasadorë të shteteve evropiane, si dhe ajo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dolën për ta përkrahur protestën. Ambasadori francez, Timonie, tha se çdoherë kur njerëzit do të mblidhet për ti mbrojtur të drejtat e tyre, ata do të jenë aty për t`i përkrahur.

Kristijan Timonie, ambasador i Francës: “Ka pasur progres me sjelljen e ligjit për Anti-diskriminim, por mendoj se ligji është një gjë kurse sjellja e shoqërisë është një gjë tjetër”.

Micaela Schweitzer-Bluhm ambasada e SHBA: “Jam shumë e gëzuar që jam këtu sot për ta festuar paradën e parë të krenarisë në Shkup. Ne si ambasadë kemi një delegacion të madh që merr pjesë me ne këtu”.

Në krye të tubimit, që u organizuar si kundërpërgjigje ndaj Marshit të Krenarisë, qëndronin klerikët fetarë nga Kisha Ortodokse.

Ivica Todorov, prift: “Jemi këtu që të dërgojmë edhe porosi deri tek ata që vendosin, tek politika, si deri tek ata që momentalisht na përfaqësojnë, ne si qytetarë dhe si besimtar e kundërshtojmë këtë proces që është aktual në botë, e ajo është ridefinimi i martesës, familjes dhe gjinisë!”

Tubimi i personave kundër LGBT komunitetit përfundoi tek Kisha Ortodokse, pa ndonjë incident të theksuar./ABC News Albania

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!