Shkrumbohet nga flakët një banesë në Vloçisht, pronarët: U duk si shkëndi, ndodhi shumë shpejt çdo gjë

schedule12:02 - 21 Gusht, 2020

schedule 12:02 - 21 Gusht, 2020

Një banesë në Vloçisht të Korçës është shkrumbuar nga flakët paraditen e sotme. Mësohet se flakët janë përhapur si pasojë e rrjedhjes së një bombole gazi.

Forcat zjarrfikëse kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur izolimin e tyre. Burime bëjnë me dije se në banesën ku ra zjarri ka pasur dy bombola gazi.

Pronarët e shtëpisë Jazmi dhe Tefta Mollaymeri në prononcimin e tyre për mediat kërkojnë ndihmë sadopak për të rindërtuar banesën e tyre, që sipas tyre u është dashur 30 vjet.

“Isha në një vdekje dhe kur më lajmërojnë erdha me shpejtësi por çdo gjë ishte në flakë ishte e vështirë të shuheshin. Dëmet janë të mëdha. Na është dashur një jetë që ta ndërtonim një gjë të tillë, kërkojmë që të na ndihmojë sadopak ta kalojmë këtë situatë”, ka thënë Jazmiu.

Nga ana tjetër bashkëshortja që ka qenë dhe e para në vendin e ngjarjes ka theksuar se nuk e mban mend se si ndodhi e gjithë ngjarja, e gjithë skema i është dukur si një shkëndi.

“Nuk e kuptova se si ndodhi, ishte një moment i vetëm dhe më është dukur si shkëndi. Unë po ndizja sobën për të bërë gjellën dhe çdo gjë ndodhi papritur. Flakët u përhapën me shpejtësi, nuk di çfarë të them,” është shprehur ajo.

Nga flakët nuk ka të lënduar por vetëm dëme materiale./abcnews.al