Digjet makina e kryeplakut të Vermoshit në Malësi të Madhe, Prek Vata. Bëhet me dije se ngjarja ka ndodhur gjatë pasditës të së dielës, në qendër të fshatit. Makina tip “Fuoristradë” është shkrumbuar plotësisht nga flakët e zjarrit.
Gazetari i ABC, Simon Shkreli, raporton se vetë kryeplaku Vata, rreth 70-vjeç, thotë se djegia e mjetit ka qenë e qëllimshme. Kjo pasi, sipas tij, autori i kësaj ngjarje ka thyer fillimisht xhamat e makinës dhe më pas ka hedhur benzinë në automjet. Vetë Vata është lajmëruar nga të afërm për këtë ngjarje.
Ndërkohë, specialistët e policisë janë nisur drejt vendit të ngjarjes, për të zbuluar më shumë rreth shkaqeve të kësaj ngjarje.
Njoftimi i policisë:
Me datë 10.04.2022, rreth orës 23:00, jemi njoftuar nga shtetasi P.V. 74 vjeç, banues në fshatin Vermosh, Njësia Administrative Kelmend, Malësi e Madhe, se ka konstatuar të djegur mjetin e tij tip Toyota.
Vazhdojnë veprimet hetimore duke mbledhur cdo provë materiale dhe vlerësuar cdo informacion, si dhe duke bashkëpunuar ngushtë me ekspertë dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, për përcaktimin e shkakut të djegies dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.
/abcnews.al/