Shkrihet bora në verilindje nga përmirësimi i motit

schedule18:59 - 23 Janar, 2019

schedule 18:59 - 23 Janar, 2019

Në verilindje të vendit është përmirësuar moti dhe ka nisur të shkrijë dëbora. Por megjithëse ka një rritje të nivelit të Fierzës situata hidrike paraqitet e njëjtë si në muajt e verës. Aktualisht niveli i liqenit të Fierzës është 274 metra mbi nivelin e detit.

Temperaturat janë rritur ndjeshëm në verilindje. Reshjet e dëbores janë zëvendësuar me ato të shiut. Bora ka shkrirë pothuajse deri në lartësine 600 metra mbi nivelin e detit. Shkrirja e saj ka ndikuar në rritjen e nivelit të ujit në liqenin e Fierzës.

E megjithatë situata hidrike nuk është aspak e kënaqshme në këtë fillim viti. Liqenit të Fierzës i mungon thuajse një e treta e sasisë së ujit, çka do të thotë prodhim i reduktuar i energjisë elektrike në kaskadën e Drinit dhe importim të saj në sasi më të lartë.

Kjo edhe për shkak të rritjes së konsumit në këtë periudhë të dimrit. Përmirësimi i motit ka ndikuar edhe në hapjen e rrugëve nga bashkia e Kukësit. Vetëm njësia administrative Arren është e bllokuar, ndërsa të gjitha akset e tjera rrugore nacionale e rurale janë të qarkullueshme. Nuk janë raportuar probleme me furnizimin me ujë të pijshëm dhe energji elektrike.

Gazetar i ABC News: Bujar Muçmata

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!