“Akujt” e krijuar në diskurs publik mes kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të AAK-së Ramush Haradinajt janë “shkrirë” krejtësisht dhe këtë e konfirmon takimi i fundit mes tyre ku duken shumë miqësorë me njëri tjetrin. Fotot i ka publikuar vetë kryeministri Rama në rrjete sociale, ku tregon si ka qenë takimi i parë mes tyre pas incidentit me padinë dhe mosmarrëveshjeve të së kaluarës.
Haradinaj dhe Rama kanë diskutuar për bashkëpunimin mes Kosovës dhe Shqipërisë në ekonomi, infrastrukturë dhe siguri e politikë të jashtme, njofton Haradinaj. Përmes një postimi në “Facebook”, ai thotë se me Ramën kanë diskutuar edhe për projektin e hekurudhës Prishtinë-Durrës, si dhe për dhënien e dyshtetësisë mes vendeve.
“Bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë në ekonomi, infrastrukturë, siguri e politikë të jashtme, ishin temat kryesore të takimit të sotëm me Kryeministrin Edi Rama. Bashkëbiseduam gjithashtu për projektin e Hekurudhës Prishtinë – Durrës si projekt i domosdoshëm për të dyja vendet, si dhe dhënien e dyshtetësisë për qytetarët tanë. Falënderova Kryeministrin Rama për ndihmën e shtetit shqiptar gjatë krizës energjetike në Kosovë dhe shpreha nevojën e gjetjes së mënyrave të bashkëpunimit të ngushtë mes dy vendeve në këtë kohë aspak normale”, ka shkruar ai.
Kujtojmë se më herët kryeministri Edi Rama e paditi ish kryeministrin e Kosovës për “shpifje”. Në padi pretendonte se Haradinaj ka shpifur ndaj Ramës për deklaratat e tij në lidhje me temën e shkëmbimit të territoreve. Në këtë padi përmendeshin disa emisione të transmetuara në të cilat Haradinaj ka folur për këtë temë dhe e ka akuzuar Ramën, që së bashku me Hashim Thaçin dhe Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç, kanë nisur idenë e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Haradinaj nga ana e tij, shkroi se është në dijeni të raportimeve për padinë e kryeministrit Rama dhe do të përgatiste një përgjigje në padi. “Unë, sipas ligjit, do të përgatis përgjigje në padi, në afatet e përcaktuara ligjore. Padia e Kryeministrit Rama është plotësisht e pabazuar dhe një diversion politik që bëhet nga ana e tij, që të fshihet pas dramave mediale dhe t’i ikë përgjegjësisë. Kombi ynë dhe Kosova ka njerëz që i dalin zot në çdo kohë”, shkroi Ramush Haradinaj.
Megjithatë më vonë Rama në një komunikatë për mediat në Kosovë, deklaroi se do ta tërheqë padinë për shpifje të bërë ndaj Haradinajt.
“Ramushit kam kërkuar takim si të gjithë në selinë e tij apo në shtëpinë e tij. Shpifja ishte mbi mua, mbi Ramushin, mbi të gjithë. Do ta tërheqë padinë. Do ta tërheq padinë jo se është e vogël për mua, por është shumë e madhe ajo që sot na bashkon të gjithë. Nuk e di çfarë raporti lind mes nesh pas tërheqjes së padisë. Me shpifje apo pa shpifje, Ramush Haradinaj nuk është kryeministri, politikani, është figurë e rëndësishme politike”, tha Rama atëherë. be.k/abcnews.al