Tre persona mbetën të plagosur me armë zjarri gjatë festimeve në një lokal në rrugën e Kavajës në kryeqytet. Të plagosur mbetën anëtarë të së njëjtës familje 2 djem dhe një vajzë që fatmirësisht janë jashtë rrezikut për jetën.
Në lidhje me këtë ngjarje është shpallur në kërkim një 32-vjeçar që dyshohet se është personi që ka shkrepur armën. Bëhet fjalë për Edison Elezajn që sipas policisë ka plagosur me një pistoletë që e mbante pa leje personat me të cilët ishin së bashku në një lokal gjatë një feste familjare.
Sipas policisë, referuar dëshmisë së personave të pranishëm por edhe këqyrjes së pamjeve të kamerave të sigurisë, shkrepja e armës ka qenë e pa vullntshme.
Ngjarja ka ndodhur rreth 1 e 30 të mëngjesit të së martës. Të plagosurit morën ndihmën e parë mjekësore në një spital privat. Dy vëllezërit të moshës 34 dhe 36 vjeç kanë marrë dëmtime të lehta dhe kanë lënë ambientet e spitalit, ndërsa motra e tyre vijon të jetë nën monitorimin e mjekëve, por jashtë rrezikut për jetën.
/abcnews.al/