Shkon në 7.5 m niveli i ujit të Vjosës në Novoselë, kryetari bashkisë thirrje banorëve

schedule11:30 - 4 Shkurt, 2018

schedule 11:30 - 4 Shkurt, 2018

Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, u ka bërë thirrje banorëve të largohen nga zonat që rrezikohen të permbyten nga lumi Vjosë, i cili në Novoselë ka arritur 7.5 metra. ABC News shkoi në vendin, ku situata duket më kritike.
Probleme ka edhe në Selenicë, aty ku dhjetëra banesa janë dëmtuar për shkak të erozionit. Tek Bishti i Malit, Vjosa ka dalë dhe ka bllokuar fshatrat Gjorm, Matogjin, Velcë dhe Bashaj.

Elton Nika, gazetar i ABC News, Vlorë: “Niveli i Vjosës aktualisht ka arritur deri në 7.5 metra, ndërkohë që janë shtatë familje që janë larguar të parat pas daljes nga shtrati të Lumit Vjosë. Prurjet të cilat vijojnë janë të larta dhe të rrezikshme siç konfirmon edhe Shtabi i Emergjencave ndërkohë që u është bërë thirrje edhe banorëve dhe familjeve të tjera të cilët ndodhen afër shtratit të lumit Vjosë të largohen nga banesat e tyre apo të vendosen në katet e dyta të shtëpive”.

Dritan Leli, kryetar i Bashkisë së Vlorës: “Në urën e vjetër nuk ka kaluar akoma si në Dhjetor, por priten akoma prurje kështu që shfrytëzoj rastin që të transmetoj apelin nëpërmjet medias që qytetarët e kësaj zone të rrisin gatishmërinë. Të rrisin mobiljet nga katet e para në katet më të larta të shtëpive, të largojnë gjënë e gjallë nga zonat ku tashmë dihen se cilat janë me rrezikshmëri. Shtabi I Emergjencave është nonstop në territor. Jemi duke marrë masa për të marrë mbështetje për të gjithë komunitetin por e rëndësishme është rritja e gatishmërisë dhe zhvendosja e të gjithë banorëve”.abcnews.al