Shkodra, zonë e nxehtë e përhapjes së Covid, qytetarët nuk respektojnë masat parandaluese

schedule17:47 - 7 Korrik, 2020

schedule 17:47 - 7 Korrik, 2020

Shifrat e të infektuarve me COVID 19 në Shkodër po rriten dita ditës.

Tani nuk kemi të bëjmë më me vatra të menaxhueshme, por kemi të bëjmë me shpërthim komuntar të këtij infeksioni.

Distanca nuk respektohet, ndërsa qytetarët dynden në dyer të institucioneve duke mos përfillur fare rrezikun nga infeksioni.

Drejtoresha e njësisë vendore të kujdesit shëndetësore, Lindita Haxhija tregon se po përballen me indiferencën e qytetarëve për tu mbrojtur.

“S’bëhet fjalë më për vatra por është shpërthim komunitar. E kemi dhe prani të simptomave e kjo është më e keqja. Është për tu çuditur që ka simptoma të ndryshme.”, thotë Haxhija.

Tek filiali i Postës në Shkodër shihet qartë që askush nuk respekton distancën dhe mbajtjen e maskës në ambiente të mbyllura.

Edhe pse masat janë marrë që në zyrat me një ndalesë siç është ADISA ku hyrja bëhet në bazë të radhës, dhe ku nuk lejohet hyrja pa maska dhe pa matje e temperaturës, qytetarët përsëri qëndrojnë të grumbulluar jashtë ambienteve të saj.

“Ku të shkoj po s’mbajte radhë nuk hyjmë dot”, thotë një prej tyre.

Ndërsa ka nga ata qytetarë që janë shumë të kujdesshëm dhe mbajnë maska.

“Kam frikë jo nga vdekja por nga vuajtjet ndaj nuk e heq maskën”, thotë një tjetër qytetar.

Në tregun e Zdrales, shihet qartë që tregtarët nuk mbajnë maska por përpiqen të mbajnë distancë.

Ndërkohë që situata krahasuar me institucionet në këtë treg që ka qenë më problematiku në Shkodër është dukshëm më mirë.

Por qytetarët që respektojnë distancën janë të pakët.

“S’mbajnë maska po mbajmë distancë”, thotë një prej qytetarëve.

Nga ana tjetër Drejtoresha e Shëndetit Publik Shkodër, Lindita Haxhija kërkon që të ruhet distancimi social dhe të mbahen maskat.

“E kemi kërkuar që masat ti mbajnë vetë qytetarët. Njerëzit pas karantinës nuk e morën seriozisht daljen nga karantina. Vazhdojnë të grumbullohen në ceremoni morti.”, thotë ajo.

Haxhija bën dhe një sqarim për personat që kërkojnë të kryejnë tampon.

“Kërkojnë për të bërë tampon me qindra njerëz që duan të ikin për punë në Mal të Zi. Nuk kemi tamponë për këtë kategori njerëzish”, deklaroi Haxhija.

Në Shkodër neglizhenca e qytetarëve ka qenë prezentë që në konfirmimin e pacientit 0 në 9 mars.

Për këtë arsye nuk janë ndalur të infektuarit, ndërsa janë regjistruar dhe 12 humbje jete./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!