Tregu hi dhe gërmadha/ Shkodër, tregtarët: U rrënuam pa mall e pa punë

schedule11:21 - 15 Qershor, 2024

schedule 11:21 - 15 Qershor, 2024

Mëngjesin e së shtunës, kjo tregtare u rikthye në vendin ku punon prej 22 vitesh, ndërsa gjithçka ishte e shkrumbuar. Të ardhurat e vetme për familjen tashmë i ka humbur, ndërsa djegia e mallit i ka shkaktuar dëm të madh ekonomik.

“Kemi 22 vjet këtu. Tre milion lekë mall. Kam punuar vetëm aty. S’kemi të ardhme tani, jemi në rrugë të madhe.”

Në tregun e shkrumbuar shkuan një dite pas zjarrit edhe tregtarë të tjerë. Thirrja  e tyre e vetme i drejtohet shtetit për ndihmë.

“Dëmet nuk parashikohen. Me milionë lekë kena pas aty. Me atë kemi mbajtur familjen. Të nda ndihmojë shteti.”

“2 milion lekë ka qenë, plus dhe vendi që kam blerë. Roje ka pas, por ska ctë bëjë. Nuk e di nëse është e qëllimshme”.

“Shteti të reagojë, se kemi bukën këtë.”

Pronari i tregut, Mustafa Sykja ishte i pari që pa flakët pasditen e së premtes. Gjithçka ndodhi në pak minuta.

“Nuk ka ndodhur të ketë problem ndonjëherë. Zjarri ra aty. Pastaj pamë flakën. U përhap menjëherë. Edhe shtëpia ka pësuar dëme.”

Tregu i shkrumbuar ka shkaktuar dëme të mëdha për dhjetëra tregtarë, ndërsa Mustafa Sykja dhe disa familje të tjera kanë mbetur në qiell të hapur.

“Vetë i pestë jam në rrugë të madhe. Motra është aty. I rastësishëm mendoj, aksidentalisht. U përhap për tre minuta.”

Tre shtëpi banimi dhe rreth 19 tregtarë që kanë tregtuar rroba të përdorura kanë mbetur në qiell të hapur. Çdo gjë këtu është shkrumbuar. Ende nuk dihen shkaqet e zjarrit ndërkohë që dëmet janë shumë të mëdha.

Nënkryetari i bashkisë së Shkodrës, Onid Bejleri siguroi tregtarët dhe banorët se do të dëmshpërblehen, pasi të bëhen të gjitha verifikimet për dëmet.

“Grupet e punës do të fillojnë menjëherë për vlerësimin e dëmeve, jemi në pritje për raportet nga policia për shkaqet e zjarrit. Do të bëhet maksimumi që të bëhet dëmshpërblimi i banorëve dhe tregtarëve që kanë pasur mallin. Do të bëhet maksimumi për secilin prej tyre. Le të shërbejë ky rast për vendosjen e një standardi të ri të tregjeve në lidhje me sigurinë”.

Hetimet vijojnë për të zbuluar shkakun e zjarrin që mori përmasa të mëdha në pak minuta.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!