“Shkodra në rrezik, shtoni testimet”, Voltana Ademi kërkesë: Bashkia të jetë pjesë e hetimit epidemiologjik

schedule18:48 - 15 Prill, 2020

schedule 18:48 - 15 Prill, 2020

Shkodra ka shënuar gjithsej 71 raste me koronavirus.

Në lidhje me agravimin e situatës në këtë qytet Bashkia Shkodër ka vijuar marrjen e masave nëpër tregje për sigurimin e masave parandaluese të përhapjes së infeksionit.

Ditën e sotme Bashkia Shkodër i ka kërkuar Prefektit të këtij qarku dhe komisionit të mbrojtjes civile në Shkodër që të të rrisë numrin e testimeve në territorin e këtij qyteti.

Gjithashtu Bashkia ka kërkuar që të jetë e pranishme në procesin e vendimmarjes së gjurmimit, identifikimit të personave që dyshohen të infektuar.

Po ashtu Bashkia Shkodër ka kërkuar që të kryhet testimi për personelin që shërben në rrugë dhe që është në kontakt me qytetarët.

Kërkesa e Bashkisë Shkodër:  

“Lënda: Kërkesë për marrjen e masave shtesë për mbrojtjen dhe parandalimin e përhapjes së COVID19

INSTITUCIONIT TË PREFEKTIT TË QARKUT SHKODËR

KOMISIONIT TË MBROJTJES CIVILE TË QARKUT SHKODËR

Të nderuar,
Prej datës 9 mars 2020, Bashkia e Shkodrës punon në territor me grupet e punës për dezinfektimin, higjienizimin, pastrimin, shërbimin për individët dhe familjet në nevojë, për sigurinë dhe orientimin e qytetarëve për të zbatuar rregullat e domosdoshme për distancimin fizik.

Duke verifikuar që po shtohen rastet e konfirmuara pozitiv në institucionet publike (spital rajonal, prokurori, polici) dhe në bizneset aktive, është e domosdoshme marrja e masave shtesë për mbrojtjen e qytetarëve të Shkodrës, dhe administratës publike që shërben.

Me qëllim sigurimin e mbrojtjen e qytetarëve dhe vazhdimësisë së shërbimeve bazë ne territor kërkojmë:

  1. Rritjen e numrit të testimeve në territorin e Bashkisë së Shkodrës.
    2. Pjesëmarrjen e Bashkisë Shkodër në procesin e vendimmarrjes së gjurmimit, identifikimit të personave në risk për shkak të kontaktit me individ të konfirmuar pozitiv me COVID19.
    3. Kryerjen e testimit për personelin që shërben në rrugë dhe në kontakt me qytetarët: personeli i spitalit rajonal, shërbimit shëndetësor parësor, policisë së shtetit, policisë bashkiake, punonjësve të UKSH Shkodër, punonjësve të shërbimit social, vullnetarëve, punonjësve të shërbimit të pastrimit dhe gjelbërimit, shpërndarësve të postës shqiptare, etj.
    4. Informimin zyrtar për familjet dhe individët e konfirmuar pozitiv në territorin e Bashkisë Shkodër.

Vlerësojmë shumë të rëndësishme që të sigurojmë vazhdimësinë e punës në shërbim të qytetarëve, sigurimin e stafit dhe mbrojtjen e qytetarëve nga rreziku i transmetimit të COVID19.

Në pritje të përgjigjes tuaj,
KRYETAR

Voltana Ademi”.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!