Kryeministri Edi Rama pati një takim me qytetarët në Shkodër, ku tha se më parë qyteti u shërbente dy njerëzve, një të vdekuri dhe një të gjalli që sipas tij ka vdekur por kujton se është gjallë. Duke përmendur kështu ish-diktatorin Enver Hoxha dhe duke ironizuar kreun e PD. Sipas Ramës gjërat tani kanë ndryshuar dhe u shpreh i kënaqur që tashmë shkodranët e kanë kuptuar.
“Komunizmi ka vdekur me kohë, edhe Shkodra i shërbente vetëm dy njerëzve një të vdekur dhe një të gjalli, që sot ka vdekur po kujton se është gjallë. I pari Enver Hoxha, matanë në botën tjetër, ka jetuar me kënaqësinë që shkodranët i qëndruan deri në fund mallkimit të tij dhe u vetëizoluan me një komunizëm që nuk ekzistonte më. I mbajti peng Hoxha 30 e kusur vite, ndërkohë që i besonin bufit që erdhi nga komunizmi dhe përdori të gjithë metodat e komunizmit”, tha kryeministri Rama.
Rama u ndal edhe tek negociatat dhe anëtarësimi i Shqipërisë në BE. Zgjedhjet e 11 majit ai i cilësoi si një takim me historinë.
“Në 11 maj është takim me historinë, jo zgjedhje e zakonshme. Për pak ditë do të shkoj në Kuç dhe do të shkruaj rezultatin minimumin. S’jemi në garë për 71 mandate. Ne 71 i kemi tani, por 71 mjaftojnë për të qeverisur, për karriget e parlamentit, për deputetët, por s’mjaftojnë për të pasur siguri se do t’i mbyllim në 2027 negociatat me BE”, përfundoi kryeministri./abcnews.al

