Shkodër/ Mbi 900 ha tokë të përmbytura në Anën e Malit

schedule22:06 - 6 Mars, 2018

schedule 22:06 - 6 Mars, 2018

Mbi 900 ha tokë janë përmbytur në njësinë administrative Ana e Malit në Shkodër, sipas verifikimeve të kryera në terren nga Bashkia e qytetit. Informacioni është dhënë nga Bashkia, sipas të cilës, niveli i ujit në rrugën e fshatit Obot arrin 30-50 centimetra.
Por shifra të tjera jep Ministria e Mbrojtjes për këtë situatë. Në një njoftim për mediat, kjo ministrI thotë se në Anën e Malit, ndodhen nën ujë vetëm 300 hektarë.

Për situatën Forcat e Armatosura kanë vënë në gatishmëri batalionin e Vaut të Dejës, batalionin e mbrojtjes rajonale, mjete të kalueshmërisë së lartë dhe rreth 200 trupa, për ndërhyrje në rast evakuimi.
Në një konferencë për mediat, kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, deklaroi se ka kërkuar që të shpallet gjendja e emergjencës për zonat e përmbytura të Bashkisë Shkodër.

Voltana Ademi: “Nisur nga situata që po krijohet dhe nga parashikimet për përkeqësim në vijim, në cilësinë e kryetares së Bashkisë së Shkodrës dhe të anëtares së komisionit të emergjencave të qarkut të Shkodrës i kërkoj prefektit të qarkut që të mbledhë komisionin e emergjencave civile. Duhet analizuar situata e rëndë e krijuar. Në emër të gjithë komunitetit të përmbytur të kërkojë shpalljen e emergjencës në zonën e përmbytur nga reshjet në territorin e Bashkisë së Shkodrës. E kam fjalën deri tani për zonën Ana e Malit dhe Dajç dhe nëse do të ketë përkeqësime sigurisht edhe për zonat e tjera që do të jenë”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!