Shkencëtarja aktiviste shqiptare që ndërtoi nanosatelitin e parë

schedule07:16 - 12 Shkurt, 2023

schedule 07:16 - 12 Shkurt, 2023

Nga një eksperiment me sodë buke, uthull dhe një balonë e deri te krijimi i nanosatelitit të parë në Kosovë, 19-vjeçarja Elta Bajrami nuk u dorëzua asnjëherë para paragjykimeve gjinore në rrugëtimin e saj në fushën e shkencave natyrore. Në Ditën Ndërkombëtare të Grave dhe Vajzave në Shkencë, prishtinasja që tani studion në SHBA, ndan me lexuesit e Radios Evropa e Lirë copëza të këtij rrugëtimi.

Në vitin 2014, në një klasë në Shkollën Fillore “Gjergj Fishta”, dhjetëra nxënës shikonin se si një balonë fryhej dhe më pas fluturonte, shkaku i gazit me të cilin ishte mbushur nga një reaksion mes sodës së bukës dhe uthullës.

Në mesin e këtyre nxënësve ishte edhe Elta, atëherë vetëm dhjetë vjeçe. Klasa e pestë la gjurmë të shumta në mendjen e saj. Nëntë vjet më vonë, ajo ende kujton momente nga ai vit shkollor.

“E mbaj mend një pjesë të tekstit në klasë të pestë, ku pyetej: çfarë dëshironi të bëheni kur të rriteni? E kujtoj shumë mirë që nxënësit e tjerë përgjigjeshin: mësues, floktar, futbollist, këngëtar. Kur më erdhi rendi mua, më vinte pak marre ta shprehja se çka kam dashur të bëhem, sepse e kisha shkruar shkencëtare”, rrëfen Elta.

Pse nuk rrëzohemi vazhdimisht teksa ecim, pse rrëshqasim në akull, si është e mundur të shkojë një raketë në Mars, çfarë është Marsi, a është planet si Toka? Pyetje si këto ngriheshin vazhdimisht në mendjen e saj.

“Më ka interesuar shumë sistemi diellor, jeta jashtëtokësore dhe sidomos ndërtimi, inxhinieria e raketave. E pata detyruar mamanë të ma blejë edhe një libër rreth raketave dhe mënyrës se si funksionojnë ato”, tregon 19-vjeçarja.

E përshkruar si fëmijë çapkën deri në moshën pesëvjeçare, Elta thotë se asnjëherë nuk e ka pasur problem të mos u bindet pritshmërive gjinore. Ka luajtur me lodra që janë konsideruar si lodra për djem.

“E kujtoj gjithmonë që gjyshja, sa herë doja t’ia merrja lodrat vëllait, më thoshte ‘mos çika ime se këto nuk janë për çika’. Por, kurrë nuk e kam kuptuar se përse lodrat duhet të kenë gjini. Kam qenë shumë më e tërhequr nga lodrat që kanë pasur pajisje komplekse, e jo që kanë qëndruar statike, vetëm sa për bukuri”, thotë Elta.

Ky kuriozitet e ndoqi atë edhe më vonë, gjatë kohës sa ishte nxënëse në Shkollën e Mesme “Sami Frashëri” në Prishtinë. Në mesin e 14 lëndëve sa kishte në vitin e fundit në gjimnaz, ajo preferonte lëndët e shkencave natyrore.

Elta merrej me projekte dhe gara të kësaj fushe edhe në kohën e saj të lirë gjatë viteve të shkollës së mesme.

Ajo tregon se vështirësitë dhe paragjykimet për të si një vajzë në fushat e shkencave natyrore nuk kanë munguar, por thotë se çelësi për t’i tejkaluar këto sfida është vetëbesimi.

Aktivizmi i Eltës ka vazhduar përgjatë çdo hapi të saj deri më tani. Duke marrë pjesë në projekte të ndryshme në Kosovë – si “Traumë, jo lojë”, “Rráj”, “K’qyr e Dil” dhe “Nuhate” – ajo ka dashur t’i ndihmojë komunitetit.

“’Traumë, jo lojë’ ka qenë një iniciativë me të cilën kemi filluar t’i luftojmë ngacmimet seksuale që kanë ndodhur në Kosovë. Është ende një prej projekteve që e dua më së shumti, sepse e shoh që diçka kam kontribuar në komunitetin ku kam jetuar”, thotë Elta.

Përveç këtyre projekteve, Elta, gjatë viteve të fundit, ka përfaqësuar Kosovën në disa gara ndërkombëtare, si për robotikë dhe shkenca kompjuterike.

Në nëntor të vitit 2021, Elta është radhitur e gjashta në botë nga mbi 200 mijë pjesëmarrës në një garë të organizuar nga gjiganti amerikan i teknologjisë, Microsoft. Në atë garë, ku testohej njohuria mbi produktet e pakos së Microsoft Office, Kosova ishte përfaqësuar për herë të parë si shtet në mesin e 108 shteteve të tjera.

Por, kjo nuk është arritja e parë e Eltës në arenën ndërkombëtare. Dy vjet më parë, në tetor të vitit 2019, ajo i ka sjellë Kosovës një medalje të artë në garën më të madhe ndërkombëtare të robotikës, FIRST Global Challenge.

“Kam qenë 15 vjeçe dhe jam angazhuar për herë të parë në krijimin e një roboti, një mekanizmi që është dashur ta kodoj vetë në mënyrë që mekanizmi të lëvizë”, thotë Elta, teksa tregon se ka punuar përkrah dy vajzave të tjera në këtë garë, Elita Hajrizit dhe Albana Hajdinit.

Për shkak të suksesit të treguar në këtë garë në vitin 2019, Elta ishte përzgjedhur ta përfaqësojë Kosovën sërish një vit më vonë, kur gara u zhvillua përmes platformave digjitale, shkaku i pandemisë COVID-19.

Këtë herë, Elta dhe tri garuese të tjera të Kosovës bënë histori duke ndërtuar nanosatelitin e parë në Kosovë. Ky satelit i vogël u kishte sjellë sfida të mëdha vajzave deri në përfundimin e tij.

“Duke e parë që askush në Kosovë nuk ka krijuar më herët një nanosatelit, nuk kishim as ku të bazohemi për ta marrë një model. Por, përmes ndihmës së instruktorëve dhe hulumtimit që e kemi bërë, kemi arritur që për herë të parë të lancojmë një nanosatelit në Kosovë”, shton Elta.

Ky nanosatelit – i cili përdorej për llogaritjen e temperaturës dhe shtypjes atmosferike – dhe projektet e tjera të saj bënë që Elta ta merrte një lajm të shumëpritur mbrëmjen e 29 marsit të vitit 2022, pak minuta pasi kishte festuar ditëlindjen e nënës së saj.

“Në emër të komisionit të pranimit, ju urojmë mirëseardhjen në kolegjin Vasser”, shkruhej në mesazhin elektronik, i cili i kishte ardhur Eltës rreth orës 23:00 të asaj mbrëmjeje.

“Pranimi në kolegj është një prej lajmeve më të mira që e kam pritur tërë jetën, për shkak se shkollimi është shumë i rëndësishëm për mua”, thotë Elta, e cila tani është zgjedhur përfaqësuese e studentëve të vitit të parë në kolegjin Vasser në Nju Jork të SHBA-së, ku po studion për shkenca kompjuterike.

Elta nuk e imagjinon dot veten jashtë fushave të shkencave natyrore dhe shpreson që edhe bashkëmoshatarët e saj do t’i ndjekin ëndrrat e tyre.

“Ndiq atë që të fle më shumë në shpirt, sepse ne kemi nevojë edhe për shkenca sociale. Por, nëse të pëlqejnë shkencat natyrore, atëherë vetëm mos u nis me frikën se janë profesione për burra dhe do t’ia dalësh mbanë”, thotë Elta.

“Ti kurrë nuk e di se çka mund të arrish. Kur nuk i vendos vetes asnjë limit, atëherë e sheh që ti i kalon ato limitet që do t’i kishe vendosur”.

Elta nuk e imagjinon dot veten jashtë fushave të shkencave natyrore dhe shpreson që edhe bashkëmoshatarët e saj do t’i ndjekin ëndrrat e tyre.

“Ndiq atë që të fle më shumë në shpirt, sepse ne kemi nevojë edhe për shkenca sociale. Por, nëse të pëlqejnë shkencat natyrore, atëherë vetëm mos u nis me frikën se janë profesione për burra dhe do t’ia dalësh mbanë”, thotë Elta.

“Ti kurrë nuk e di se çka mund të arrish. Kur nuk i vendos vetes asnjë limit, atëherë e sheh që ti i kalon ato limitet që do t’i kishe vendosur”./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!