Shkëmbim zjarri inskenim? S’u gjetën gëzhoja. Polici: Qëlluan në ajër sapo më panë, u kundërpërgjigja

schedule13:55 - 12 Dhjetor, 2023

schedule 13:55 - 12 Dhjetor, 2023

Një efektiv i policisë së Lezhës denoncoi të martën se ka pasur shkëmbin zjarri me dy persona të armatosur. Ngjarja sipas Dhurim Mitkos ndodhi mbrëmjen e të hënës pranë vendit të quajtur “Rruga e Sanxhakut” teksa ai ishte duke shkuar në punë.

Punonjësi i Policisë është kundërpërgjigjur, duke qëlluar nga brenda automjetit të tij, me armën e shërbimit. Të lënduar nuk pati.

Pas denoncimit, shërbimet e Policisë të komisariatit të Kurbinit, kanë shkuar në vendngjarje.

Nga këqyrja e vendit ku ndodhi shkëmbimi i zjarrit të pretenduar rezulton se është dëmtuar vetëm automjeti privat i punonjësit të Policisë, pasi ai ka deklaruar se ka qëlluar nga brenda makinës me armën e shërbimit në drejtim të personave të armatosur.

Në vendngjarje nuk është gjetur asnjë gëzhojë, gjurmë apo prova të tjera materiale që mund t’iu përkasin shtetasve të kallëzuar nga punonjësi 23 vjeçari Dhurim Mitko.

Me qëllim hetimin e plotë të rastit AbcNews mëson se një hetim ka nisur edhe nga struktura vendore e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, pasi dyshohet se Dhurim Mitko, mund ta ketë inskenuar këtë ngjarje./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!