Trajneri i Teutës, Bledi Shkëmbi, foli pas ndeshjes kundër Partizanit, që u mbyll 1-1. Në fjalën e tij për Supersport, trajneri i “Djemve të Detit” tha:
NDESHJA – “Prisja diçka më tepër, sidomos pjesën e dytë, Nuk më pëlqeu skuadra pjesën e dytë. Duhet të bënim më shumë. Duhet të kishim iniciativë më shumë. Gjithsesi nuk duhet të harrojmë që luanim ndaj Partizanit, që në pjesën e dytë na i bëri shumë të vështirë”.
FORMACIONI – “Në fakt, gjatë gjithë javës kemi pasur probleme fizike. E menduam ta fillonim me 2 sulmuesë. Pjesa e parë më pëlqeu, pjesa e dytë mendoj se ishte më shumë problem psikologjik.
REZULTATI – “U duk sikur ne u pajtuam me rezultatin. Në teori nuk e menduam kështu. Në pushim të ndeshjes kërkuam të rrezikonim kundërshtarin. Kjo ishte arsyeja pse skuadra nuk më pëlqeu në pjesën e dytë. Kishim probleme në qarkullim topin. Ishim një lojtar më shumë dhe më shumë e kontrollonte topin Partizani se ne. Pas ndeshjes ndodh që të kesh bërë gjëra gabim. Unë nuk e kam problem të pranoj. Ashtu e mendova në atë moment.
REAGIMET – “Ishte diçka që edhe mua vetë nuk më pëlqeu. Nuk më pëlqen që lojtarët të hakërrehen ndaj arbitrit. E kanë ndjerë më shumë seç duhet këtë ndeshje. E kam rregull që me arbitrin nuk duhet të merret asnjë lojtar. Kam besimin që në ndeshjet e ardhshme, nuk do të ndodh kjo gjë”, përfundoi Shkëmbi./abcnews.al