Teuta luan nesër në Elbasan ndaj Flamurtarit dhe durrsakët do të kërkojnë të marrin pikët e plota. Gjatë kësaj periudhe, lojtarë si Sherif Kallaku, Roni Gashi, Ledio Beqaj dhe Dejvid Kapllani kanë qenë të ftuar në përfaqësueset e moshave të Shqipërisë dhe Kosovës. Trajneri Bledi Shkëmbi shprehet se do kishte dashur t’i kishte pasur nën urdhra gjatë kësaj kohe, por nuk e fsheh gëzimin që ata ishin ftuar në përfaqësueset respektive.
“Normalisht më e mira do të ishte t’i kishim në ekip gjatë këtyre 10 ditëve, por është kënaqësi kur ata grumbullohen nga Kosova dhe Shqipëria. Mendoj që ky pushim na ndihmoi për disa lojtarë që nuk ishin në gjendjen më të mirë fizike. Kishim edhe disa dëmtime. Sppresoj të kemi bërë një punë të mirë dhe mendoj se na bëri shumë mirë për 2-3 lojtarë”, u shpreh Shkëmbi në konferencë për shtyp.
SYNIMI – “Objektivat nuk ndryshojnë nga klasifikimi. Kemi një objektiv të qartë, pra të jemi në tre vendet e para. Kemi dëshirë akoma më shumë për të luftuar deri në fund për titullin. Ka shumë ekipe të mira, që kanë investuar. Është e vështirë, pasi kanë bërë ekipe të mira. Kemi dëshirë për më shumë, nuk fshihemi. Po punojmë psikologjikisht dhe në fushë për këtë”, shtoi trajneri korçar.
TË VOGLAT – “I mbyturi të mbyt? Me sinqeritet i trembem kësaj, pasi ekipi i Teutës ndër vite gjithmonë problemin më të madh e ka pasur me ekipet e ashtuquajtura të dobëta. Kujtojmë ndeshjen kundër Kamzës, që nëse Teuta fitonte, atëherë merrte titullin kampion. Edhe vjet patëm momente të vështira me këto ekipe. Na dhanë një goditje psikologjike, siç e mbani mend patëm një periudhë me rezultate të dobëta”, u shpreh Shkëmbi.
NDESHJA NË ELBASAN – “Dëshira jonë është të luajmë në fushën tonë. Duke parë mundësitë dhe fushën jo të mirë, mendoj se është gjë e mirë që luajmë në Elbasan. Fusha atje është e mirë dhe kjo na ndihmon. Duket si një ndeshje në fushë asnjanëse, por kjo nuk është justifikim. Duhet të shkojmë dhe ta fitojmë këtë ndeshje”.
RIVALËT – “Nuk ka shumë diferenca mes ekipeve, kjo është kryesorja. Fazën e dytë çdo ekip do të shikojë objektivat që ka. E vështirë të jap një mendim të saktë se kush është më i fortë. Shohim ekipin tonë dhe duhet të vazhdojmë të punojmë, të përmirësohemi, të bëjmë një futboll të mirë dhe në fund të shohim ku mund të arrijmë. Jemi në një moment të mirë, kemi vazhdimësi. Çelësi i suksesit është i njëjti: puna, serioziteti dhe dëshira që kemi për të marrë rezultate. Për fat të mirë veç Vecajt, të gjithë janë në gjendje të mirë. Vila është rikuperuar gjatë kësaj jave. Të tjerët janë në gjendje të mirë. Shpresoj të jemi në një ditë të mirë nesër dhe të na ndihmojë edhe fati”, përfundoi Shkëmbi. /abcnews.al