Shkëmbi: Nuk firmos barazimin. Longo? Ka parë filma me spiunë, qenka i mirë nga goja

schedule11:30 - 18 Janar, 2022

schedule 11:30 - 18 Janar, 2022

Dinamo do të përballet me Kukësin ditën e nesërme në ndeshjen e fundit të javës së 16-të të Abissnet Superiore. Kjo sfidë do të luhet në “Elbasan Arena” në orën 16:45.

Pas përforcimeve të bërë gjatë merkatos së janarit, blutë e Bledi Shkëmbit do të kërkojnë të marrin 3 pikët e para për vitin 2022 përballë verilindorëve të Diego Longos.

Në konferencën për shtyp trajneri Bledi Shkëmbi ka vlerësuar në maksimum afrimet e bëra gjatë kësaj merkatoje duke theksuar se do jenë një “armë plus” për të, ndërsa takimin me Kukësin tregon se djemtë do të japin maksimumin për ta fituar këtë ndeshje.

“Nuk jemi në moment ndërtimi, por përmirësimi. Mund të ndodhte që për shkak të rezultateve presidenti të tërhiqej, por përkundrazi na ka dhënë më shumë mbështetje për t’u përmirësuar. Me afrimet që kemi bërë mendoj se kemi arritur të marrim lojtarët më të mirë të mundshëm Lilaj, Reginaldo e Deninson.

Asnjë nga lojtarët nuk është 100 për qind, por për minutat që do të luajnë do të tregojnë aftësitë e tyre. Presim edhe një lojtar, këto dy-tri ditë do ta marrim vesh të sigurt. Në parim kemi rëndë dakord. Bëhet fjalë për një qendërmbrojtës.”

Presioni për rezultatet: E ndiejmë presionin në çdo ndeshje, aq më tepër ne, që nuk kaluam një moment ë mirë. Tani është vit i ri, fillim i ri, shpresoj të kemi ndryshuar diçka dhe prurjet të na ndihmojnë. Jam i bindur që do të jetë një Dinamo e re.

Përballja me Kukësin: Është ndeshje si gjithë të tjerat, Kukësi kërkon ta fitojë, sikurse edhe ne që duam të largohemi nga pozicioni që kemi. Jam i bindur që kjo ndeshje do të jetë ndryshe, do të japim maksimumin për ta fituar.

Shtyrja e ndeshjes: Nuk e kuptuam pse u shty ndeshja, donim ta luanim siç e kishim në kalendar, por ne jemi sportivë në qëndrime, do ta luajmë siç është vendosur. Barazimi? Nuk firmos për barazimin, e kam parë shumë mirë skuadrën në stërvitje. Nëse të gjithë do të japim maksimumin, do të fitojmë, por në futboll ka të bëjë shumë edhe fati.

Skuka shënoi për Partizanin: Më bëhet qejfi që Skuka ka shënuar se ishte djalë i mirë. Vendosa që Skuka të largohej, por nuk kam asnjë pishman, jam i fokusuar tek lojtarët që kam në ekip.

Objektivat: Po mendojmë për ndeshjen e radhës. Kampionati shqiptar ka dhënë prova që, nëse fiton tri ndeshje radhazi, objektivat ndryshojnë. Ne e kemi fokusin te ndeshja e radhës. E rëndësishme për ne është edhe Kupa, si rruga më e thjeshtë për të shkuar në Europë, por ne do t’i vlerësojmë të dyja.

Ironia për Longon: Trajneri Lango, Longo më falni, ka parë shumë filma me spiunë. Kemi pirë kafe me stafin e Partizanit në kompleksin ku zhvillojmë stërvitje dhe kaq. Nuk shkojmë t’i shohim trajnerit të Kukësit stërvitjen. Longo është shumë i mirë, por me sa duket edhe me gojë. Ka ndodhur herë të tjera që ne jemi stërvitur përpara, por ne nuk e kemi pasur këtë problem. /f.a/abcnews.al