Shkëmbi: Kujdes Laçin! Deklarata e Vrapit? Nuk i bëj punët me miqësi!

schedule13:27 - 22 Tetor, 2019

schedule 13:27 - 22 Tetor, 2019

Bledi Shkëmbi ka dalë para mediave para ndeshjes me Laçin. Trajneri korçar vlerëson kundërshtarin e nesër dhe i bën thirrje skuadrës së tij për kujdes. Ai flet edhe për aspekte të tjera, si golat e munguar prej sulmuesve, si dhe i përgjigjet ish-ndihmësit të tij Endi Vrapi, i cili në një intervistë në “Panorama Sport” ka thënë se e kuptoi që kishte qenë krahu i majtë i Shkëmbit dhe jo i djathti.

ECURIA E LAÇIT – “Është një ndeshje e vështirë, duke marrë parasysh kundërshtarin. Është një rival që pavarësisht rezultateve jo të mira, për mendimin tim ka një ekip të kompletuar, shumë të mirë. Për më tepër që në fushën e tyre është e vështirë t’i mundësh. Duhet të jemi të kujdesshëm dhe të japim maksimumin tonë për të marrë rezultatin që duhet”.

GOLAT E MUNGUAR – “E thashë pas ndeshjes, jam i kënaqur me atë që ekipi dha kundër Flamurtarit. Luajtëm gjithë kohën në sulm. Nuk ështët e lehtë të shënosh shumë gola. Patëm momentet tona për të realizuar më shumë se një gol, por nuk ia dolëm. Nuk jam shumë dakord që ishte vetëm një inkursion i Kallakut. Vërtetë ishte një perlë e tij, një veprim teknik për t’u admiruar, por derisa u shënua goli kemi pasur 22 pasime. Nisi nga portieri dhe shkoi deri aty. Normal ndjej kënaqësi për futbollistët. Flamurtari nuk ishte aq i dobët siç mund të thuhet në letër. Për ta mbyllur, tre pikët vlejnë njëlloj, si me Flamurtarin, ashtu edhe me ekipet e tjera”.

MUNGESA E FANTAZISTËVE – “Nuk më pëlqen të bëj gabimet që bëjnë të tjerët, që të them se kur kam qenë unë thonë se është bërë futboll më i mirë. Ne nuk e kemi problem, pasi kemi Kallakun. Ai e bën shumë mirë këtë detyrë, por kemi edhe Avdylin. Në skuadrën tonë nuk ekziston ky problem”.

BLLOKIMI I SULMUESVE – “Nuk më vjen mirë, normalisht. Sulmuesit tanë bëjnë maksimumin në stërvitje, punojnë shumë. Vazhdoj të besoj tek ata. Do të rikthehen te golat dhe do të jenë një ndihmë e madhe për ekipin”.

GRINTA E MADHE – “Punohet me ego dhe dëshirë për të pasur rezultate të mira. Nuk është meritë vetëm e stafit. Merita e madhe u takon lojtarëve, që kanë uri për të marrë rezultate pozitive. Kjo më pëlqen dhe ne si staf na ndihmon shumë”.

DEKLARATA E VRAPIT – “Përgjigja është e thjeshtë: Jam i pari i kësaj pune dhe nuk e kam nisur këtë punë ta bëj me shoqëri dhe miqësi. Çfarë kam pasur, ndryshe nga të tjerët nuk i them nëpër gazeta, por ua them njerëzve në sy. Kjo është përgjigja më e mirë. Unë vazhdoj ta falënderoj Vrapin për ndihmën e madhe që na dha”, ka përfunduar Shkëmbi.  /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!