Juljan Kazazi, prestidigjitator vjen në një rrëfim në studion e Pas Mesnatë. Ai flet me keqardhje për situatën ku ndodhet sot cirku shqiptar, ndërsa është optimist për të ardhmen e këtij institucioni.
“Një nga gjërat për të cilën më vjen keq është se jemi tkurrur aq shumë sa që shpesh mendoj se do vijë një moment dhe nuk do ketë më të ardhme ky institucion. Kjo për shkak edhe të politikave të ndryshme që kanë ndjekur titullarët, nuk dua të ndalem në keqmenaxhimin e këtij institucioni të paktën në 10 vjecarin e fundit. Dua të them që nga vitet ’90 e pas, cirku ka patur një neglizhencë nga ana e institucioneve të ndryshme, kanë munguar specializimet, një pjesë e artistëve që e ngritën cirkun në ato maja që sot i shohim vështirë për t’u arritur, u larguan nga Shqipëria. Edhe vetë nevoja për bazë materiale, apo eksperiencë ndryshe, secili e pa të pamundur, shihte këtu një dritë të shuar në fund të tunelit, por që pjesa më e madhe e artistëve e duan këtë institucion dhe kërkojnë të ngrihet aty ku ka qenë.”- shprehet ai, ndërsa kujton prishjen e cadrës së cirkut.
“Ka qenë një moment jashtëzakonisht shumë i vështirë për secilin, herë pas here kemi patur përballje me zyra të ndryshme të përmbarimit për cështje prone ejt, po asnjëherë nuk kishin mundur dot të arrinin, dhe këtë e arritën në vitin 2021 dhe nga ai moment rreth 1 vit ne mbetëm pa aktivitet. Në 2022 morëm një iniciativë personale për të krijuar një shfaqje që titullohej “Yjet ringrihen”, në çadrën e Krishtilindjeve’. vijon Kazazi, ndërsa shpreh bindjen se cirku do të ketë një shpërthim shumë shpejt.
“Diskutojmë herë pas here se kemi më shumë se 5 vite që nuk kemi menduar si të bëjmë një shfaqje të bukur, por kemi menduar si të mbrojmë institucionin nga shkatërrimi dhe them që ne jemi ata që duhet të mendojmë për të ardhmen e këtij institucioni. Jemi në një moment tranzicioni për të cilën cirku ka nevojë për një plan menaxhim shumë të mirë se si do të ringrihet,” thotë ai./abcnews.al