Shkatërrohet impianti i pastrimit në grykëderdhjen e Shkumbinit

schedule14:25 - 1 Maj, 2018

schedule 14:25 - 1 Maj, 2018

Një investim që pritej të jepte rezultate befasuese përsa i përket pastrimit të bregdetit, është dëmtuar. Impjanti që u ngrit një vit më parë në grykëderdhje të Shkumbinit, aktualisht nuk është në funksion.

Të tre barrierat pritëse janë dëmtuar. Gjasat janë që investimi nuk përballoi dot forcën e pemëve dhe të inerteve që sillnin prurjet e lumit.

Ishte llogaritur që përveç mbetjeve të ngurta, impianti të pastronte edhe vajrat.  Sot e gjitha e shkatërruar, duke e kthyer situatën në gjendjen e mëparshme.

Kurse ky grumbull mbetjesh plastike në cep të zonës së rrethuar me tela, qëndron si shenjë e provës demonstruese të një viti më parë, kur u inagurua investimi.

Në impiantin e pastrimit u ngritën tre barriera. E para me kavo çeliku do të kapte ato të rëndat, e dyta dhe e treta për objektet pluskuese.

Ato ishin vetëlëvizëse dhe të vendosura në një kënd të caktuar kundrejt rrjedhës së lumit, me qëllim që depozitimi të bëhej në vendin, ku ishte montuar transportieri, i cili më pas i kalon në koshin e plehrave.

Qëllimi i vendosjes së dy barrierave pluskuese ishte që në raste avarie, njëra prej tyre të ishte funksionale. Riparimi duhej të ishte bërë me kohë, por siç shikoni dhe nga pamjet, këtu askush nuk ndërhyn. Nga grykëderdhja e lumit Shkumbin, mbeturinat derdhen në plazhin e Vil Bashtovës dhe të Spillesë. /abcnews.al