Në kuadër të operacionit të përbashkët policor të koduar “Korabi”, zhvilluar ndërmjet policisë shqiptare dhe asaj italiane, u bë kapja dhe arrestimi i tre personave në kërkim ndërkombëtar. Ata janë B. GJ., 38 vjeç, dhe Q.A.(M), 32 vjeç, lindur dhe banues në Dibër.
Gjithashtu, në Fiano Romano të Italisë, u bë arrestimi i 49-vjeçares shqiptare H.R., lindur dhe banuese në Dibër.
Ata ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Rietos kishte vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Organizatë kriminale”, “Vjedhja me armë, kryer në bashkëpunim”, “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit” dhe “Mbajtja e sendeve të vjedhura”, parashikuar nga Kodi Penal italian.
Në datën 4 Maj të këtij viti, në zonën Fiano Romano, shtetasit e mësipërm në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vjedhur nëpërmjet përdorimit të armëve banesën e një italiani.
Ata morën aty një sasi bizhuterish dhe shumën 60.000 euro, që ndodheshin në kasafortën e këtij shtetasi dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes me një automjet të vjedhur.
Ndërkohë autoritetet italiane vijojnë punën për të dokumentuar me prova ligjore edhe të disa vjedhjeve të tjera që dyshohet se i ka krye ky grup./abcnews.al