Shkarkimi, Meta nuk i jep llogari Kuvendit

schedule16:27 - 22 Qershor, 2019

schedule 16:27 - 22 Qershor, 2019

Presidenti i Republikës nuk do të shkojë përpara Komisionit të Ligjeve për t’u mbrojtur në procedurën e nisur për shkarkimin e tij. Në një letër drejtuar Ulsi Manjës, Presidenca e konsideron këtë proces të rremë, verbërisht politik dhe një përpjekje e shfrenuar për thellimin e krizës.

Ilir Meta nuk priti të hënën, për të marrë mungesë në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, që ishte caktuar si dita kur Presidenti mund të mbrohej përpara socialistë që e kanë ndarë mendjen ta shkarkojnë.

Me një letër drejtuar Ulsi Manjës, Presidenca e konsideron këtë procedurë të rreme dhe verbërisht politike.

“Presidenti i Republikës vlerëson se gjithë veprimtaria aktuale parlamentare që përpiqet të godasë veprimtarinë e Presidentit të Republikës, por pa mundur të rrëzojë përmbajtjen e dekretit të tij, është një proces i rremë, i pambështetur në argument kushtetues, por vetëm i orientuar verbërisht politikisht”.

Kreu i shtetit e sheh shkarkimin e tij si rrëzimin e një ure që mund të mundësonte dialogun ndërpartiak.

“Ky proces i rremë dhe verbërisht politik, nuk i shërben aspak zgjidhjes së krizës së thellë në të cilën ndodhet vendi, por përkundrazi e rëndon më tepër atë, si një përpjekje e shfrenuar për të thelluar ndasitë mes palëve, dhe për të asgjësuar çdo mundësi për krijimin e klimës së dialogut e bashkëpunimit, që Presidenti i Republikës prej kohësh po ju kërkon palëve”.

Duke përsëritur se dekreti i tij që anuloi 30 Qershorin shmangu konfliktin civil, Ilir Meta thekson se në tavolinën e tij ka ende gurë shahu pa lëvizur.

“Presidenti i Republikës garanton Kuvendin e Shqipërisë se është në detyrë, i gatshëm që me përgjegjësi të plotë të ndërmarrë të gjitha veprimet e rëndësishme që do të diktojë situata dhe interesi më i lartë i vendit”.

Pa e shmangur ironinë, në fund të letrës, duke ju uruar gjykim më të shëndoshë deputetëve socialistë, Presidenca i dërgon një kopje të dekreti Komisionit, duke pandehur se ligjvënësit nuk e kanë lexuar atë./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!