Një delegacion i Komisionit të Venecias ka takuar të gjitha palët politike sot në Tiranë, në një vizitë për të mbledhur qëndrime mbi kërkesën e socialistëve për të shkarkuar Ilir Metën. Ekspertët nuk kanë dhënë deklarata, por kanë mbajtur shënime dhe do të shprehen me një opinion zyrtar në Tetor.
Komisioni i Venecias ka dërguar në Tiranë një grup ekspertësh, përpara se të japë në Tetor opinionin e tij nëse Ilir Meta duhet shkarkuar si President Republike.
Delegacioni i nisi takimet me opozitën jo parlamentare, e cila mbrojti qëndrimet e presidentit, duke thënë se anulimi i 30 qershorit ishte një përpjekje pozitive e Ilir Metës. Më pas, ekspertët dëgjuan këndvështrimet e deputetëve të mazhorancës dhe më pas të opozitës parlamentare.
Rreth 50 minuta takim patën edhe me kreun e Kuvendit, Gramoz Ruçi. Sipas zyrës së shtypit të Kuvendit, Ruçi i ka falënderuar ekspertët për kontributin dhe përgjigjen me shpejtësi ndaj interesimit të Kuvendit të Shqipërisë.
Delegacioni i Venecias u takua edhe me Presidentin e Republikës, Ilir Meta, i cili është person nën hetim parlamentar. Mësohet se kreu i shtetit, përveç shpjegimeve në tavolinë, ju ka dhënë ekspertëve edhe një relacion shpjegues me shkrim me arsyet që e detyruan të çdekretojë 30 Qershorin.
Në Tëiter, presidenti shkroi shkurtimisht se ishte i kënaqur që kishte pritur një përfaqësi të Komisionit të Venecias dhe se nëse do ishin respektuar rekomandimet e tyre në të kaluarën, Shqipëria kurrë nuk do të ishte në këtë situatë.
Komisionerët kanë takime edhe me ministrin e Brendshëm, kryeministrin, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, dhe anëtarë të komisionit hetimor./ABC News Albania 24/7