Shkarkimi i Hajdarit, Murrizi: S’u bë qameti, nuk është se e hoqëm nga Presidenti i Republikës

schedule21:20 - 14 Maj, 2020

schedule 21:20 - 14 Maj, 2020

I ftuar në “Mbrëmje në ABC” këtë të enjte ishte përballë gazetares Mirela Milori Myslym Murrizi, kreu i Grupit Parlamentar Demokrat. Temë e bisedës për këtë mbrëmje ishte shkarkimi i Rudina Hajdarit dhe përplasjet politike brenda grupit parlamentar.

Duke folur në lidhje me shkarkimin e Hajdarit, Murrizi u shpreh se nuk e dinte që kjo çështje do të bëhej “skup” në media.

Murrizi u shpreh:

“Shoh që skupet mediatike janë më të mëdha nga ç’është ai vendim i atij grupi prej 9 deputetësh. Shkarkimi është një term bolshevik. Është një zëvendësim. Grup rebel është ai, përderisa shkelën vendimin e këshillit kombëtar të PD, nuk besoj se pyesin dhe aty brenda kur iu mbushet mendja. Pati një tentativë edhe më përpara e cila u frenua. Nuk besoj që për aq pak njerëz sa jemi dhe për aq pak kohë sa jemi aty, të mendojmë se jemi të pazëvendësueshëm nga ato karrige formale që kemi. Shoh që qenka bërë lajm i madh nëpër të gjitha mediat.”

Më tej deputeti Murrizi shtoi se Grupi Parlamentar do të vazhdojë të funksionojë për “të shtrënguar sa më shumë dhe besoj që do të funksionojë për të shtrenguar sa më shumë prej 39 deputetëve opozitarë. Ky është një bashkim më shumë energjisë.”

Lexo edhe: Prapaskenat e Rudina Hajdarit, gazetarja Konomi tregon pse grupi parlamentar demokrat vendosi ta shkarkojë

Ndërsa, i pyetur sesi e priti Hajdari shkarkimin, Murrizi u shpreh që nuk “është shkarkuar nga Presidenti i Republikës ndërsa theksoi se zonja Hajdari “ka edhe katër komisione të tejra.

Myslym Murrizi:

“Në mbledhjen që u bë të martën ka pasur debate, por nuk është se e kemi shkarkuar nga presidenti i Republikës dhe u bë qameti. Ka edhe katër komisione të tjera. Është kryetare e Komisionit të Integrimit.. është bashkë-kryetare për Këshillin e Reformës Zgjedhore.”

Murrizi deklaroi gjithashtu se në Këshillin Politik dhe atë të Reformës Zgjedhore do jetë Hajdari dhe jo ai vetë.

Po ashtu, i pyetur nëse ka pasur një debat mes tij dhe Rudina Hajdarit, Murrizi u përgjigj shkurt duke thënë se “debatet e shtëpisë nuk nxirren në pazare.” /abcnews.al/