“Shiu nuk e ndali festën”, Nika: 28 valltarë erdhën nga SHBA, mundohemi që fëmijët të ruajnë traditën

schedule17:39 - 28 Nëntor, 2023

schedule 17:39 - 28 Nëntor, 2023

Këtë 28 Nëntor është mbajtur për herë të parë në Tiranë “Parada e Shqiptarisë”, e cila ka krijuar një atmosferë atdhetare. Kjo paradë ka prej 15 vitesh mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ka si synim që të kthehet si traditë edhe në vendin tonë.

Koreografia e grupit të valltarëve, Angjelina Nika ka ndarë detajet për “News Line”, duke theksuar se shiu nuk arriti ta ndalte këtë festë. Ajo zbuloi se nga SHBA erdhën 28 valltarë dhe mundohen që fëmijët të ruajnë traditën dhe zakonet shqiptare.

Sakaq, Angjelina ka thënë se këtë radhë “Paradën e Shqiptarisë” e mbajtën në vendin tonë, por në vazhdim do mundohen ta zhvillojnë dhe në shtete të tjera ku ka shqiptarë.

“Shiu nuk na bëri gjë. U kënaqëm. Ata flamuj u dukën shumë të bukur. Për herë të parë sollëm fëmijët. Këtë radhë ishin 28 vallëtarë, urojmë vitin tjetër më shumë.

Për ne kjo është shumë e rëndësishme. Ne kemi disa grupe atje si Rozafati. Mundohemi që këta fëmijë të mos asimilohen, të ruajmë çfarë është e jona. Mundohemi që këta fëmijë ta kthejnë kokën mbrapa për këtë vend.

Ka shumë interes për të mësuar vallet në SHBA, kemi gati 200 studenta që duan të mësojnë. Kanë shumë dëshirë të mësojnë gjuhën, vallen, historinë.

Bashkimi i shqiptarëve ka një rëndësi shumë të veçantë për ne. Këtë radhe e bëm në Shqipëri, do e bëjmë në Itali, Norvegji dhe me radhë kudo ku ka shqiptarë në të gjithë botën”, u shpreh ajo./abcnews.al