Shiti diploma, arrestohet ish-pronari i “Kristal”

schedule09:46 - 6 Mars, 2018

schedule 09:46 - 6 Mars, 2018

Ahmet Muçaj, ish-pronari i Universitetit “Kristal”, u ndalua në Tiranë. Ai dyshohet se kundrejt parave jepte diploma false të këtij universiteti privat të mbyllur 4 vjet më parë.

Ish-pronari i Universitetit “Kristal”, tashmë i mbyllur, është vënë në pranga në Tiranë. Sipas policisë, Ahmet Muça, është prangosur pasi dyshohet se është përfshirë në veprimtarine e paligjshme të shitjes së diplomave të Universitetit.

Prokuroria e Tiranës kishte nisur hetimet dy muaj më parë, pas dyshimeve për këtë aktivitet të paligjshëm. Ai u kap në kushtet e flagrancës duke i dorëzuar një shtetaseje një diplomë të nivelit “Bachelor”, dega Drejtësi, kundrejt marrjes së një vlere monetare.

Biznesmeni kishte përgatitur diplomën dhe i ka thënë studentes se duhej të paguante 2500 euro. Pikërisht në momentin kur do dorëzohej diploma dhe do paguheshin 2500 euro, Ahmet Muçaj është ndaluar nga Policia. Vetëm muajt e fundit, Muçaj dyshohet se u ka shitur disa personave diploma në degët e Drejtësisë dhe Ekonomisë, me data të periudhës, kur Universiteti Kristal ishte ende funksional. Universiteti “Kristal” ishte mes universiteteve private dhe publike që u mbyllën në vitin 2014 nga qeveria për mospërmbushje të kritereve, pas një kontrolli të imtësishëm të ushtruar në të gjitha institucionet e arsimit të lartë në vend./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!