Ka shkuar në 17 numri i të arrestuarve në kuadër të operacionit policor “Andromeda” në Gjirokastër. Gjatë fazës së tretë të këtij operacioni janë ekzekutuar masat e sigurisë për 12 shtetas, 10 prej tyre me masë sigurie arrest në burg, ndërsa 2 me masë sigurie arrest në shtëpi, pjesëtarë të një grupi kriminal të implikuar në shitjen e lëndëve narkotike, në qytetin e Gjirokastrës.
Janë vënë në pranga Herolind Haskaj, Dorian Osmani, Kevin Gega, Bledar Caka, Redon Gjini dhe Elidon Tocka për veprën penale prodhimi dhe shitja e narkotikëve, kryer në bashkëpunim.
Sakaq e njëjta masë sigurie është vënë për Ilia Koçollari, Eno Dulaj dhe Ervis Çelo për veprën penale prodhimi dhe shitja e narkotikëve.
Thoma Karanxha është lënë gjithashtu në burg për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.
Ndërkohë është vendosur masa e sigurisë arrest në shtëpi për Elvin Norrën dhe Mario Ferunin për veprën penale kontrabanda me mallra të tjera, kryer në bashkëpunim.
Nga hetimet rezulton se këta shtetas në bashkëpunim me 5 të tjerë të arrestuar në datat 25 tetor dhe 13 nëntor të vitit të kaluar, të organizuar si grup, janë të përfshirë në veprimtarinë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, në doza, kryesisht në Gjirokastër.
Gjithashtu, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore u ekzekutuan masat e sigurisë pezullim i ushtrimit të një funksioni apo shërbimi publik, për dy punonjës policie në pikën kufitare të Kakavijës, për veprën penale shpërdorimi i detyrës.
/abcnews.al/