Në Shishtavec të rinjtë që kanë emigruar kthehen për të bërë dasma dhe për ta kujtuar vendlindjen e tyre. ABC News organizoi një reportazh në fshatin turistik të Kukësit.
Mëngjeset verore nisin me curlet e daulleve të dasmave në Shishtavec, njërën prej zonave turistike të Kukëit. Pothuajse të gjithë djemtë e zonës janë në emigrim dhe pushimet e verës i shfrytëzojnë për dasmat.
Demiri është njëri prej të rinjve që jeton prej vitesh në Itali e Angli. Nusen e ka italiane dhe dasmën e parë e ka bërë në Itali. Është kthyer në Shishtavec për dasmen tradicionale.
I ati i tij Gëzimi, 9 vite në Angli thotë se nuk do e lënë traditën, ndaj kthehen në fshat për të përcjellë edhe promovimin e turizmit. E në fakt e gjithë panorama e zonës është shumë joshëse për turistët. Të parët turistë janë motoristë të ardhur nga Gjermania e që janë mahnitur nga kjo zonë.
Madhështia e Grykës së Vanave e rrethuar nga shkëmbinjtë e thepisur janë unike. Më tej gjarpëron rruga e asfaltuar përbri lumit Luma në krye të teëcilit ndodhet dhe një ujëvarë.
Vendasit po përpiqen të shfrytëzojnë për mire remitancat e emigrantëve. Lokali i parë në përfundim e sipër është i Ismet Toçillës. Po ndërton restorantin e hotelin. Nusja e shtëpisë po thyen edhe mentalitetin e zonës për të shërbyer e menaxhuar, ndërsa Ismeti e bashkëshortja thonë se turistët pritet të jenë më të shumtë në këtë zonë që e ka bekuar vetë natyra.
Mes mështeknave të bardha, druri unik në vend, ndodhet dhe stani i Hoxhës, një kompleks prej guri e që duket se ka turistë, ndërsa Servet Gërmizi, edhe pse shtëpinë e ka në det, vjen çdo vit e pushon në bjeshket e Novosejt 1400 metër. Nuk e ndërron me asgjë këtë vend.
Kësaj zone tashmë i mungon paksa promocioni. Pak nga pak po futet në guidat turistike, por rolin më të madh po e luajnë vetë djemtë e zonës, që jetojnë e punojnë në Perëndim, por nuk harrojnë të kthehen në vendlindje. /ABC news Albania 24/7