Një 43 vjeçar është arrestuar si shkaktar i zjarrit që u përhap në Selenicë të Vlorës, një ditë më parë.
Sipas uniformave blu, rreth orës 19:30 të së enjtes, në vendin e quajtur “Fshati i Vjetër” në Drashovicë, 43-vjecari ka ndezur zjarr në mënyrë të qëllimshme, pas një konflikti me bashkëfshatarin e tij.
Si pasojë e përhapjes së flakëve, është djegur një sipërfaqe toke e mbjellë me ullinj dhe u rrezikuan të digjen bagëtitë e imta në një stan. Nga fshati Drashovicë, zjarri u përhap edhe në fshatin Dukat dhe Vajzë.
Edhe në Gramsh policia ka arrestuar për zjarrvënie një 26 vjeçar, ndërsa ka proceduar penalisht babë e bir.
Sipas uniformave blu babë e bir janë kapur në flagrancë, të enjten nga shërbimet e Policisë, duke ndezur zjarr në pyllin e fshatit Bersnik i Poshtëm, njësia administrative Kodovjat. Nga përhapja e flakëve u dogj një sipërfaqe pyjore dhe u rrezikuan banesat përreth.
Mbi ta rëndon akuza “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.
Zjarrvënia mbetet shqetësimi kryesor në menaxhimin e situatës së zjarreve. Policia apelon për të gjithë qytetarët që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me ligjin.
Gjithashtu, fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast të kësaj veprimtarie kriminale dhe të paligjshmërive.

