Pak muaj më parë në emisionin “Shqiptarët për Shqiptarët” erdhi rasti dramatik i një vogëlushi që po shuhej. Ajani nga Kosova ishte prekur nga një sëmundje e rrallë, e kishte nevojë emergjente për t’u kuruar jashtë shtetit.
Falë një pune të jashtëzakonshme, gjithçka u bë gati për Ajanin e prindërit që vogëlushi të mund të kurohej në spitalin italian Bambino Gesu.
Këtë mbrëmje në emisionin “Shqiptarët për Shqiptarët”, Elvis Naçi rrëfeu të gjithë orvatjet e mëdha e stërmundimet për të bërë të mundur kurimin e Ajanit të vogël.
Elvisi: Sulejmani, bashkë me Lulzimin, janë dy vëllezërit tonë që kur ka diçka për të bërë në Kosovë, ata janë bashkë me ne. Ne i shohim rastet, për pamje të parë kur e pashë thashë qenka djegur ky fëmijë i vogël.
Ne u vumë në lëvizje. Nisëm të pyesim spitalet, nuk ua shpjegoj dot… po vinte darka e datës 29 dhjetor. Nuk e pranonte asnjë spital. 15 spitale na thanë, nuk e bëjmë dot, sepse rasti është aq i rrallë saqë nuk e shpëtojmë dot këtë fëmijë.
Më 29 dhjetor, për të mos lënë gurë pa lëvizur, thashë ta shohim në Itali. Por Kosova ka nevojë për viza… por mendova, ta provojmë, është jetë fëmije. Pas 15 spitalesh, gjetëm forcë prapë. Kontaktuam në orën 9 të darkës. Ata s’kishin as ekipin mjekësor. Dërguam foto e video, e ndoshta edhe ata preken si ne. Ajo e bëri. Kur e kanë parë klipin e kanë kuptuar.
Na vunë një kusht, mjekët edhe nesër janë në punë, më 31 janë pushim, duhej dërguar sa më parë. Ne morëm ambasadën italiane. Në atë orë nuk ngrihej telefoni. Është kontaktuar ministria… unë sot e kësaj dite nuk e besoj çështjen e Ajanit. Imagjinojeni këtë baba, atë nënë… Ministria e Jashtme na dha shpresë. Na thanë të vijmë nesër më 30 në mëngjes. Problemi ishte sesi ta çojmë sepse në Kosovë duhet viza.
Kur do Zoti, si thuhet, ai që është jetëgjatë, nuk bëhet jetëshkurtër. Në orën 9 të mëngjesit prisnim me ankth. Desh Zoti e mori vizën nëna fillimisht, e mori dhe babai… në drekë patëm sprovën e fundit. Ajani ishte shumë vështirë.
Kontaktonim avionë sanitarë e nuk na pranonin, na thonin se marrim dot përsipër se fëmija është shumë rëndë. Desh Zoti, që një kompani zvicerane mori përsipër, por me një kusht, që të firmosnin se nëse ndodhte gjë, kompania nuk do të mbante përgjegjësi.
Kurrë nuk e kisha menduar se ai fëmijë do të përmirësohej… ja shikojeni vetë, unë po e ftojn në studio… shikojeni vetë se çfarë bën i madhi Zot.