Shifrat: Formacioni më i shtrenjtë i Superiores, ligjin e bëjnë Tirana dhe Laçi

schedule22:49 - 18 Dhjetor, 2020

schedule 22:49 - 18 Dhjetor, 2020

Superiorja ka nisur, ndërkohë që së fundmi “transfermarkt” ka përditësuar vlerat e futbollistëve. Rritje te kampionët e Tiranës, te Laçi, sikurse edhe te Skënderbeu e Kukësi. Në formacionin më të shtrenjtë zënë vend edhe disa nga prurjet e merkatos dhe gjithçka nis nga porta, për të vijuar në mbrojtje e kaluar në sulm, pasi mesfushorët janë elementë që kanë spikatur dhe nuk i kanë ndryshuar skuadrat. Në total formacioni më i shtrenjtë i Superiores vlerësohet me 4.425.000 euro.

VISAR BEKAJ – Portieri  dardan u ble nga Tirana për 50 mijë euro dhe është më i shtrenjti i Superiores. Vlera e kartonit të tij vlerësohet me 350 mijë euro. “Gardiani” ka shkëlqyer te Prishtina, është pjesë e përfaqësueses dardane dhe tani titullar te kampionët e Shqipërisë.

 

MBROJTJA – E nisim nga linja e djathtë, me Kristijan Toshevksin e Tiranës. Anësori i djathtë ishte vjet pjesë e Vardarit në Maqedoninë e Veriut vjet, ndërkohë që është edhe pjesë e Maqedonisë së Veriut. Vlera e tij është 375 mijë euro, duke lënë pas emra si Jorgo Meksi dhe Abdurrahman Fangaj, që vlerësohen me 300 mijë euro.

Në qendër ka vend për një tjetër lojtarë të bardhebluve, Filip Najdovksin. Edhe ky i fundit vlerësohet me 375 mijë euro. Te Vardari ka qenë pikë kyçe e skuadrës dhe po luan titullar edhe me Tiranën, madje ka debutuar në Superiore me dy gola të shënuar në portën e Kukësit.

 

Partner i tij në qendër të mbrojtjes është Erhun Obanor. 350 mijë euro është vlera e kartonit të nigerianit, i cili sezonin e shkuar spikati me Kukësin dhe tani është pjesë e skuadrës së Laçit. Mbrojtja plotësohet me një element që ka qenë edhe pjesë e kombëtares së Shqipërisë.

Bëhet fjalë për Besir Demirin, i cili pas një eksperience në Sllovaki te Zilina pranoi ofertën e Kukësit. Anësori i majtë është edhe mbrojtësi më i shtrenjtë, pasi kartoni i tij vlerësohet me 400 mijë euro nga “transfermarkt”.

 

MESFUSHA – Rritje e madhe për dyshen e kampionëve, Idriz Batha dhe Jurgen Çelhaka. Të dy vlerësohen me 400 mijë euro, sikurse edhe Regi Lushkja i Laçit. Kapiteni i Tiranës shënoi vjet gola të rëndësishëm dhe ishte lider i bardhebluve në fitimin e titullit, çka ka sjellë edhe rritjen e vlerës.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe me të riun Çelhaka, i cili fitoi edhe një vend te Shqipëria U21. Gjithashtu edhe Lushkja me Laçin bëri një sezon të mirë, duke qenë protagonist me gola e asiste që ndihmuan ekipin bardhezi ta mbyllte në vendin e tretë në kampionat.

 

SULMI – Dyshja më produktive vjet ishte ajo e Laçit, me Kyrian Nwabueze që shënoi 24 gola e Redon Xhixhën që realizoi 12 herë. Nigeriani me pasaportë amerikane është lojtari më i shtrenjtë i Superiore dhe vlerësohet me 500 mijë euro.

Xhixha, i cili luan në krahun e majtë, vlerësohet me 400 mijë euro. Çmimi i tij ka ardhur në rritje, ndërkohë që është kthyer në një titullar edhe te Shqipëria U21. Treshja e sulmit plotësohet nga një prurje e merkatos, pjesë e skuadrës së Kukësit.

Agim Ibraimi, i cili ka provuar të luajë edhe në Serie A me ekipin e Cagliari, vlerësohet me 475 mijë euro. Me skuadrën verilindore bashkohet pas një eksperience të fundit që ai pati në Maqedoninë e Veriut, me fanellën e Shkëndijës së Tetovës. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!