Shfaqet sëmundja misterioze ne Indi, qindra të shtruar ne spital

schedule10:40 - 7 Dhjetor, 2020

schedule 10:40 - 7 Dhjetor, 2020

Të paktën një person ka vdekur dhe 227 janë shtruar në spital pas një sëmundje misterioze që preku  shtetin jugor të Indisë, Andhra Pradesh.

Pacientët kishin simptoma të ndryshme duke filluar nga të përzierat deri te fikëtit, sipas deklaratave të mjekëve. Zyrtarët po hetojnë shkakun e sëmundjes, e cila përfshiu qytetin Eluru gjatë fundjavës.

Situata është përkeqësuar edhe më tepër ndërsa India vazhdon të luftojë me situatën e shkaktuar nga koronavirusi,  shteti i dytë më i prekur në botë.

 

Andhra Pradesh ka qenë një nga shtetet më të prekura – me më shumë se 800,000 të infektuar.

Por Covid-19 nuk është shkaku i shtrimeve në spital gjatë fundjavës. Ministri i shëndetësisë, Alla Kali Krishna Srinivas, tha se të gjithë pacientët kishin rezultuar negativë për koronavirus.

“Njerëzit që u sëmurën, veçanërisht fëmijët, papritmas filluan të kishin të vjella pasi u ankuan për djegie të syve. Disa prej tyre u ra të fikët,” tha një mjek në Spitalin Eluru.

70 njerëz  kanë dalë nga spitali ndërsa 157 të tjerë janë ende në kujdesin e mjekëve, sipas zyrtarëve.

Kryeministri i vendit, Jaganmohan Reddy, tha se ka dërguar ekipet speciale mjekësore në Eluru për të hetuar shkakun e sëmundjes. Reddy pritet gjithashtu të vizitojë qytetin për të parë nga afër gjendjen e pacientëve dhe familjeve të tyre.

Srinivas tha se nga mostrat e gjakut të pacientëve nuk kishin arritur të zbulonin asnjë gjurmë për të kuptuar nëse kishin të bënin me një infeksion viral.

“Ne përjashtuam ndotjen e ujit ose ndotjen e ajrit si shkakun kryesor pasi zyrtarët vizituan zonat ku njerëzit u sëmurën,” tha ai. “Është një sëmundje misterioze dhe vetëm analiza laboratorike do të zbulojë se çfarë është.”

Sidoqoftë, partia opozitare Telugu Desam ka bërë thirrje për një hetim mbi incidentin, duke këmbëngulur se ndotja ishte shkaku i sëmundjes misterioze./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!