Brohorima dhe mesazhe kundër rritjes së çmimeve po përcjellin qytetarët e mbledhur para kryeministrisë në Tiranë, sot në ditën e dytë të protestës.
“Dua tu bëj thirrje dhe pronarëve që të mos abuzojnë duke rritur çmimet me pretekstin e luftës. Është e vetmja protestë që dëshmon se ne jemi protestë qytetarë dhe jo politike”, tha një qytetar.
Juristi Redon Meksi i bëri thirrje drejtësisë që të hetojë skemën e rritjes së çmimeve. Sakaq ka bërë thirrje që të lirohen protestuesit e arrestuar në protestën e djeshme.
“I bëjmë thirrje drejtësisë të hetojë të gjithë këtë skenë vjedhje. Të përfundojë deri te pikat e vogla të naftës. Të hetojë të gjithë këtë skemë korruptive. Mund të keni kaluar vetingun e Edit dhe të Lulit por s’do kaloni vetingun e popullit. Nga ana tjetër i bëj thirrje gjyqtarit dhe prokurorit të lirojnë aktivistët e arrestuar përndryshe do u bëhemi hije nga pas do u zbulojmë pasuritë, nuk do iu ndahemi”.
Në protestën kundër rritjes së çmimeve kanë marrë pjesë edhe persona me aftësi të kufizuara. Njëri prej tyre tha se po përballen me varfërinë dhe se rritja e çmimeve do t’u shkaktonte akoma më shumë probleme ekonomike.
“Po vdesim urie. Të lutem mos i bë që të zhyten akoma më thellë. Mos abuzoni me çmimet. Unë skam fjalë po i bëj thirrje çdo shqiptari që nëse kjo vazhdon të vijnë të gjithë këtu. Edhe pse jam në rrota e ndiej veten më shumë se kurrë në këmbë. Kur shoh pjesën tjetër që rrinë 24 orë në një shtrat duke krijuar plagë, anën psikologjike burgu është pak të thuash. Qeveria të bëjë diçka ose populli do bëjë punën e vetë”, tha ai.
/abcnws.al

